Rama konfirmohet në krye të Partisë SocialisteNga Tema Socialistët votuan dje për të zgjedhur kryetarin e partisë së tyre, midis dy kandidaturave, Edi Rama e Maqo Lakrori. Votimi ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe është mbyllur rreth o
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama konfirmohet në krye të Partisë SocialisteNga TemaSocialistët votuan dje për të zgjedhur kryetarin e partisë së tyre, midis dy kandidaturave, Edi Rama e Maqo Lakrori. Votimi ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe është mbyllur rreth orës 16:00, pa probleme. Sipas të dhënave paraprake, në procesin e djeshëm të votimit morën pjesë mbi 63% e anëtarësisë së PS, e përbërë prej rreth 82 mijë anëtarësh.
Rezultatet e para për disa bashki dhe rrethe të rëndësishme si Korça, Fieri, Vlora e Elbasani flasin për një fitore të thellë të Edi Ramës përkundrejt Maqo Lakrorit. Bëhet fjalë për fitore në masën mbi 80 për qind në disa raste. Ndërkohë, selia rozë ka bërë me dije se ditën e sotme do të bëjë të njohura rezultatet.
Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PS është bojkotuar nga pesë deputetët kundërshtarë të Ramës në parti, si dhe nga disa anëtarë të forumeve të larta drejtuese të PS, të cilët janë pozicionuar kundër rikandidimit të Edi Ramës për postin e kryetarit të partisë. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Andis Harasani kishin deklaruar një ditë para votimit se do të bojkotin këtë proces zgjedhjesh në PS, pasi ata e vlerësuan të kompromentuar që në nisje të tij. Ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në PS, Zamira Caka, e vlerësoi gjithashtu të kompromentuar procesin, duke deklaruar se fituesi i kësaj gare ishte paracaktuar.
Ndërsa kandidati përballë Ramës në garën për postin e kryetarit të partisë, Maqo Lakrori, e vlerësoi normale garën dhe procesin e votimit. Ai votoi në njësinë numër 9 në kryeqytet. “Uroj që procesi të vazhdojë normalisht dhe në kohën e duhur do të bëjmë vlerësimin e këtij procesi”, - tha Lakrori. Ndërsa kandidati favorit për postin e kryetarit, Edi Rama, u shpreh se gara është reale, duke premtuar se në të ardhmen në krye të PS ai do të zhvillojë betejë politike kundër asaj që ai e quajti aleancë midis ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, kryetarit të LSI, Ilir Meta, dhe kryeministrit demokrat, Sali Berisha.
Duke theksuar se PS është forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri, Edi Rama tha dje se votimi sipas parimit “Një anëtar, një votë” është një moment i bukur në jetën e një partie. “Është e pashmangshme që partitë politike në Shqipëri të demokratizohen dhe roli dhe fuqia e anëtarit të partisë të rritet duke filluar nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë për kryetarin e partisë. Ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real e për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka pasur vështirësitë e veta. Ashtu sikundër ka qenë një proces, të cilin Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, kompania e tyre, altoparlantët e tyre, kanë bërë çmos që ta përbaltin, kanë bërë çmos që ta cenojnë, kanë bërë çmos që ta zhvlerësojnë, sepse është një proces i bukur, një proces real, një proces që tregon në fakt se PS është vërtet forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri e se është pa asnjë dyshim një pengesë e pakapërcyeshme për projektin e tyre, për ta kthyer Shqipërinë në një skemë të mbyllur dhe për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet interesash që s’kanë të bëjnë me interesat e popullit”, - tha Rama.
Procesi zgjedhor erdhi si pasojë e humbjes së PS në zgjedhjet e 28 qershorit. Statuti i kësaj partie parashikon se, kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme, kryetari i saj jep dorëheqjen. Rama deklaroi ndërprerjen e mandatit, por vendosi të rikandidojë për këtë post. Përballë tij shpalli kandidaturën Maqo Lakrori, një prej ish-themeluesve të PS, si dhe Arben Malaj, anëtar i Kryesisë së PS dhe deputet i saj. Malaj deklaroi tërheqjen nga gara vetëm pak orë pasi kishte shpallur platformën në Kongresin e 29 gushtit, duke e konsideruar procesin e kompromentuar që në nisje.
Agolli: Gara për zgjedhjen e kryetarit të PS është demokratike
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli mbështet Edi Ramën, por shprehet kundër bojkotit parlamentar të PS. I njohur për influencën e tij në PS, Dritëro Agolli deklaroi dje qëndrimin e tij për situatën politike në të cilën gjendet PS. Ai tha dje se nuk duhet të konsiderohet PS dhe Edi Rama si humbës të mëdhenj. Agolli u shpreh kundër Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, të kryesuar nga Ben Blushi. “Ky grup nuk mund të hedhë parulla dhe të nxisë socialistët të bojkotojnë procesin zgjedhor në parti, dhe nga ana tjetër të jenë kundër bojkotit në parlament. Nuk mund të jesh kundër bojkotit me bojkot. Moralisht ky është një veprim më i keq se bojkoti i Kuvendit, sepse nuk mund të bojkotosh partinë tënde”, - u shpreh Agolli.
Agolli vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe demokratike garën për zgjedhjen e kryetarit të PS, duke i vlerësuar kandidatët, Rama e Lakrori si dy figura me kontribute të rëndësishme në këtë parti. Pasi ka votuar, Agolli foli për mediet në selinë e PS. “Janë dy kandidatë që kanë një eksperiencë të madhe në fushën e pluralizmit politik në Shqipëri. Fatmirësisht ka dy kandidatë, sepse mund të ndodhte që të kishte dhe një kandidat. Unë mendoj se të dy kandidatët janë njerëz me përvojë në drejtimin e Partisë Socialiste”, - tha Agolli. Megjithatë ai shprehu rezerva indirekt për Edi Ramën dhe eksperiencën e tij në krye të PS, duke i sugjeruar që udhëheqësi duhet të jetë më i afërt me njerëzit, më kokulur, të shprehë dashuri ndaj të gjithëve.
Kundër bojkotit
“Kur duhet të shkojë nuk mund ta them, sepse janë strukturat e partisë që e vendosin një gjë të tillë. Kjo parti është e domosdoshme për të shkuar në parlament, për të marrë pjesë në vendimet e rëndësishme. Kjo është punë kohe, është një kërkesë për të verifikuar edhe veten dhe për të ditur nëse vërtet janë bërë këto çrregullime apo manipulime të zgjedhjeve. Por kjo nuk duhet të zgjasë shumë”, - tha Agolli. Sa i përket çështjes së përgjegjësive për humbjen e zgjedhjeve, Agolli tha se Edi Rama dhe PS nuk mund të quhen më pak humbëse sesa Ilir Meta dhe LSI apo edhe PD dhe Sali Berisha. Sipas Agollit, këto zgjedhje nuk i fitoi asnjëra parti, ndaj dhe përgjegjësitë e Ramës në këtë rast zbehen. “Gjithnjë në PS ka pasur diskutime të tilla, të tilla polemika, edhe tani është një polemikë e tillë se përse PS nuk fitoi zgjedhjet. Por më thoni ju, cila parti fitoi me aleancat e saj parazgjedhore? Nuk fitoi asnjëra. As PD, as PS dhe as LSI. Atëherë lindi nevoja për një koalicion tjetër të PD bashkë me LSI. Por të gjithë kryetarët e partive kanë qenë humbës dhe i kërkohet Edi Ramës të japë dorëheqjen. Me këtë rezultat duhet të japin dorëheqjen që të tre, edhe Edi Rama, edhe Sali Berisha, dhe Ilir Meta, sepse nuk përmbushën objektivat e tyre. Asnjëra nga partitë që ishin në krye të koalicioneve nuk arritën të krijonin qeverinë, pasi asnjëri koalicion nuk arriti të marrë 71 deputetë. Metri që mat suksesin është krijimi i qeverisë. Mund të thuash i humbur, por mora 2-3 vota më shumë, por i humbur, sepse nuk formon dot qeverinë. Prandaj nuk mund të thuash se Edi Rama është një humbës i madh apo PS”, - tha dje Agolli.