E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu padit ne gjykate kryeprokuroren Ina Rama dhe vartesin e saj Sokol Stojani


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka paditur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe drejtorin e hetimit, Sokol Stojani. Padinë në gjykatë, ish-ministri Mediu e bëri për “nxjerrje të sekretit shtetëror”, pasi kreu i Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, Genti Xholi vendosi të pushojë padinë e deputetit republikan. Ardian Visha, mbrojtësi ligjor i Fatmir Mediut, u shpreh dje se “kemi depozituar një padi në gjykatën e Tiranës, ku kërkojmë shfuqizimin e urdhrit të prokurorit që vendosi për pushimin e kallëzimit penal të bërë nga ana jonë. Sapo u njohëm me vendimin e prokurorisë, iu drejtuam gjykatës”. Nëpërmjet avokatëve, Mediu i kërkon gjykatës të detyrojë prokurorinë që të nisë hetimet për shefen e organit të akuzës, Ina Rama, dhe kreun e hetimit në këtë institucion, Sokol Stojani. Ai pretendon se prokuroria e Tiranës nuk ka bërë asnjë verifikim apo veprim hetimor për kallëzimin e tij ndaj Ramës dhe Stojanit. Fatmir Mediu e kallëzoi penalisht Ina Ramën dhe Sokol Stojanin në prokurori, pak ditë pasi dosja “Gërdeci” ishte dorëzuar për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ai e akuzon kryeprokuroren për nxjerrjen e të dhënave hetimore. Sa i përket Stojanit, ai e akuzoi atë për disa mesazhe që sipas Mediut, ua kishte dërguar gazetarëve që kishte përballë në një emision televiziv. Do të jetë gjykata, e cila do të vendosë për fatin e padisë së ish-ministrit të vënë nën akuzë për ngjarjen e rëndë, ku humbën jetën 26 persona. Avokati i Mediut saktësoi dje se, Ina Rama e ka pasur si qëllim të sajin kriminal  diskreditimin publik të klientit të tyre, duke “publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të dosjes hetimore përkatëse”. Ndërsa për Prokurorin Sokol Stojani, kryetari i grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”, avokatët e Fatmir Mediut kanë ngritur padinë pasi sipas tyre, ai ka tentuar diskriminimin publik të klientit të tyre, “për shkak të abuzimit keqdashës dhe jo transparent të dhënave që ai disponon për shkak të funksionit të tij të deritanishëm”. 



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›