E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu të dorëhiqet nga posti i Ministrit

Share

Nga Lavdosh Ferruni

Me cka po ndodh me mjedisin në Shqipëri, ku qeveria nuk ka asnjë kontroll mbi paligjshmëritë që ndodhin në dëm të mjedisit, apo vetë autoritetet shtetërore japin urdhra të jashtëligjshëm për shkatërrimin e mjedisit, do duhej që kryeministri të japë dorëheqjen. Siç janë të gjithë të bindur, kjo nuk ndodh kurrë e kryeministrin tonë.

Por z. Mediu mund ta bëjë (e ka bërë dhe herë tjetër) dhe duhet ta bëjë dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mjedisit, që ka për detyrë të mbrojë mjedisin.

Arsyeja kryesore?

Autoriteti ligjor i Ministrisë së Mjedisit që drejtohet nga Mediu injorohet nga vetë strukturat shtetërore. Rasti? Janë shumë raste dhe tepër flagrante. Ja disa prej tyre.

Rasti i parkut të Liqenit

Rasti më i fundit është masakra e bërë tek parku i Liqenit, tek rruga e Elbasanit. U prenë dhjetëra pemë të parkut, jo vetëm pa leje mjedisore, por edhe pa tentuar për të kërkuar leje mjedisore në Ministri. Ministria e morri vesh çështjen pas protestave të qytetarëve kundër shkatërrimit të Parkut. Tani mësuam se 1 javë pasi fadromat dhe sharrat kishin rrafshuar cdeshën, inspektoriati i Ministrisë së Mjedisit i paska vënë një gjobë 1 milion lek Drejtorisë së Rrugëve, se ka filluar punë pa marrë leje mjedisore, dhe se lekët e gjobës duhet të kalojnë në llogarinë e Ministrisë së Mjedisit. Ndërkohë Ministria po përgatit lejen dhe këtu sipas saj mbyllet dhe ky rast sa i papërgjegjshëm, aq dhe barbar.

Rasti i Kopshtit Botanik

1 vit më parë askush nuk e pyeti Ministrinë kur fadromat ju vërsulën të vetmit Kopsht Botanik që ka vendi. Edhe aty u deshën protestat qytetare që Ministria të bëhej e gjallë. Manovra qe më e sofistikuar. Mediu kërkoi pezullim të punimeve. Shpresë e kotë. Në kohë rekord u bë gati leja. E ndërsa leja ishte gati, u sajua dhe një takim me publikun brenda Ministrisë, ku të gjithë në sallë ishin kundër prishjes së Kopshtit Botanik dhe projektit siç ishte bërë dhe siç u zbatua.

Rasti i kanioneve tek Shkallët e Tujanit

U desh një artikull i Ardian Kosit në verën e kaluar që shqiptarët të merrnin vesh se një nga monumentet e natyrës më të bukura në vend, kanionet e lumit të Tiranës, apo shkallët e Tujanit ishin varrosur nga shpërthimi e derdhja e malit mbi kanione. Ministria e Mjedisit, që sipas ligjit qysh në fazën e konceptimit të rrugës së Arbrit (së paku para tenderimit) duhet të organizonte informimin e publikut dhe pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje për të sugjeruar më pas dhe variantin më të mirë e pa dëm në mjedis, ishte komplet jashtë këtij procesi, por duke pasur detyrim ligjor për të qenë brenda, është praktikisht pjesë e këtij krimi mjedisor të pandëshkuar. Të paktën edhe 6 muaj pas fillimit të punimeve nuk ka pasur një leje mjedisore për këtë rrugë dhe ka të ngjarë që edhe sot që krimi është kryer leja ka të ngjarë që nuk ekziston.

Arsye tjetër jo më pak kryesore

Prej 2 muajsh 3 drejtues të Aleancës kundër Importit të Plehrave (përfshi artikullshkruesin) i kanë kërkuar zyrtarisht z. Mediu ti jepte raportin e ekspertëve të pavarur të Bashkimit Europian mbi ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, të cilët kanë trajtuar aty dhe çështjen e importit të mbetjeve. Kjo kërkesë është bërë pas shumë kërkesash në nivele të tjera. Mospërgjigja kthehet në akuzë. Për më tepër që ky raport është bërë me financim të projektit të Komisionit Europian (projekti RENA). Të gjithë e kanë dëgjuar z. Mediu, madje dhe personalitet e Brukselit apo të trupit diplomatik (ambasadori i OSBE-së, ambasadori italian) ti referohen ekspertëve lidhur me çështjen e importit të plehrave. Bindja është që kemi të bëjmë me një manipulim opinioni. Por tash përgjigja e kërkesës së AKIP, duhet të jetë publike, përfshi dhe sqarime për fondin përkatës të harxhuar për këtë raport të ekspertëve. Për këtë mund të ndihmojë edhe vetë delegacioni i BE-së në Tiranë.

Në çvend demokratik një ministër që dështon totalisht dhe dukshëm në sy të çdo qytetari në zbatimin e ligjit dhe të detyrimeve institucionale, edhe pse jo gjithnjë për faj të tij, por të Qeverisë ku ai bën pjesë, nuk do jepte dorëheqjen?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›