E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetje provimesh në ndihmë të Ministrisë sonë të Arsimit!

Share

Nga Pëllumb Kulla

Mbeta i mahnitur para ca ditësh nga zbulimi i një pyetje në tezat e provimit për shkollarët shqiptarë. Ishte ajo pyetja që për sigurimin e lëvizjes së lirë, nxënësit duhet të afirmonin sukseset e qeverisë. Fantastike! E mrekullueshme. Ja një pyetje e tërthortë që bën që lëvizjet e shqiptarëve të jenë hiçgjë para sukseseve të qeverisë! Ishte një gjetje që të shpon fantazinë.

E meqenëse provime të tjera na presin e meqenëse zgjedhjet po afrojnë unë vendosa ti jap një dorë Ministrisë së Arsimit, që ajo deri në provimet e ardhshme të ketë një arsenal pyetjesh të gatshme që provimet të jenë sa më të dobishëm për edukimin e shkollarëve shqiptarë. Po dërgoj bllokun e pyetjeve të para.

Në fushën e shkencave shoqërore mund të pyetet: Citoni tri mëkatet kryesore të Opozitës që bëjnë që në Shqipëri të mos kemi rotacion të pushtetit.
Në fushën e gjeografisë: Gjeni për secilin nga kontinentet e tjerë nga një vend ku zgjedhjet zhvillohen me standarde të larta dhe i afrojnë këto në familjen e vendeve evropiane, ku zhvillohen zgjedhje të lira, si Shqipëria, Gjermania e tjerë.

Për lëndën e historisë: Thoni dhe tre emra të tjerë veç Sali Berishës dhe Gjergj Kastriotit që do të plotësonin pesëshen e madhërishme të burrave më të shquar të kombit shqiptar.

Në lëndën e fizikës fare mirë mund të kërkohet: Tregoni trukun televiziv se si mund të montohet me zë dhe portret një njeri fare i papranishëm në një skenë allishverishi dhe cilat elementë të elektronikës u përdorën poshtërsisht vitin që shkoi për të hedhur baltë mbi zv. kryeministrin shqiptar.

Në matematikë: Problem i tezës: Një kallashnikov kushton sa një raketë krahu. Në rast se shesim 10.000 kallashnikovë dhe nuk arrijmë të marrim të hollat dhe pastaj shesim raketa krahu të cilave u vëmë çmimet 60 përqind më shumë. Sa raketa duhen shitur që të mbulohen humbjet nga kallashnikovët?
Në fushën e gjuhës shqipe ka më shumë material, por unë hëpërhë propozoj një kërkesë të thjeshtë: Gjeni në fjalitë e mëposhtme dhe hiqni pjesëzën që përdorim për shkallën sipërore të mbiemrave: 1. Vendi ynë ka gjendjen ekonomike më të shkëlqyer në Evropë. 2. Shqipëria është vendi më i kërkuar nga turistët e planetit. 3. Para tre vjetësh patëm zgjedhjet më të pastra dhe më të lira që janë zhvilluar tek ne. 4. Kjo është Opozita më destruktive në Evropë. Pasi ta hiqni pjesëzën që thamë, a do ta vini re vallë, të dashur nxënës, se sa humbje ka imazhi i një vendi të lirë që përparon nga dita në ditë drejt të ardhmes të ndritur?

Këto janë pyetjet e para në ndihmë të ministrisë. Kryeministri ynë jep çdo ditë material për formulime të tilla pyetjesh, sa që të jemi të garantuar se po na vjen një brez i ri, i rritur në begati posepo, por edhe i edukuar më së miri. Dhe kam besimin se pas maturës këta të rinj shqiptarë do të kërkojnë të drejta studimi vetëm për Fakultetin e ri që Ministria e Arsimit do ta hapë së shpejti dhe po kërkon këto ditë miratimin e qeverisë.

Ky do të jetë Fakulteti I Komisionerisë për Qendrat e Votimit! Dhe do ta marrë miratimin pa dyshim. Se qeveria ia ka kërkuar vetë projektin për këtë fakultet të. Në vendin tonë ky specialitet është i domosdoshëm dhe me shumë leverdi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›