Medvedev: “Gjeorgjia shkeli rregulloren e OKB-së”
Presidenti i Rusisë, Medvedev, shpjegoi një ditë më parë lindjen e konfliktit midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Gjatë fjalës së mbajtur ai theksoi se Rusia ka mbrojtur të drejtën e popullit të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë për vetëvendosje dhe pavarësi, ndërkohë që sipas tij, Gjeorgjia ka shkelur rregulloren e OKB-së. “Gjeorgjia zgjodhi mënyrën më çnjerëzore për të arritur qëllimin e vet, bashkimin e Osetisë së Jugut me Gjeorgjinë me çmimin e shfarosjes së një populli të tërë. Vendi ynë është bërë ndërmjetës dhe paqeruajtës duke luftuar për arritjen e rregullimit politik. Ndërkohë ne gjithmonë jemi nisur nga njohja e tërësisë territoriale të Gjeorgjisë. Mirëpo propozimet tona këmbëngulëse për të lidhur marrëveshje për mospërdorimin e forcës me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut nuk morëm përgjigje nga pala gjeorgjiane. Për fat të keq ato u injoruan dhe nga NATO-ja, madje dhe nga OKB-ja”, - është shprehur Medvedev. Ai gjithashtu bëri të ditur se ka nënshkruar dekretin për njohjen nga Federata Ruse të pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe pavarësisë së Abkazisë, duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare.
28 Gusht 2008