E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Rusisë në Tiranë kërkon takim me Topin dhe Berishën

Prishchepov: “Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh”. Ambasadori thekson se reagimi i kryeministrit shqiptar ishte emocional

Eljona Ballhysa

Deklaratat për tregti të mundshme të armëve midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë kanë sjellë dje reagimin e faktorit rus në Tiranë. Për herë të parë ka reaguar dje ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Prishchepov. Ai ka organizuar një konferencë të posaçme për shtyp, për të sqaruar pozicionin e Rusisë në lidhje me tregtinë e mundshme të armëve midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, si dhe ka dhënë sqarime për luftën në Gjeorgji.
Kërkesa
Që në fillim të deklaratës së tij, Prishchepov ka bërë të ditur se ka kërkuar takim me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Prishchepov, ndër të tjera, është shprehur se nuk ka dijeni që qeveria ruse ta ketë akuzuar Shqipërinë për tregti armësh me Gjeorgjinë. Ai ka bërë të ditur se një lajm të tillë e ka mësuar nga mediat shqiptare. Sipas Prishchepov-it, edhe në rast se ka pasur marrëdhënie të tilla tregtie midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, kjo nuk përbën asgjë të keqe. “Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh. Ajo mund të jetë përmendur në një listë të vendeve që i kanë shitur armë Gjeorgjisë, por nuk shoh asgjë të keqe te fakti që Shqipëria mund t’i shesë armë Gjeorgjisë, përndryshe ne do të kishim marrë veprime në rrugë diplomatike”, - është shprehur ambasadori Prishchepov. Kreu i diplomacisë ruse në Tiranë, gjatë fjalës së tij drejtuar gazetarëve, theksoi disa herë se Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh, sipas tij, nëse një deklaratë e tillë është bërë, atëherë është bërë nga njerëz pak të mençur. Prishchepov gjithashtu theksoi se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk kanë ndryshuar dhe për këtë ka kërkuar takim me presidentin Topi dhe kryeministrin Sali Berisha.
Komenti
I pyetur në lidhje me deklaratën e një dite më parë të kreut të qeverisë shqiptare, Berisha, i cili e akuzoi Rusinë për ndjekjen e një politike të gabuar ndaj kombeve të vogla, diplomati rus, duke refuzuar të komentojë, tha se reagimi i qeverisë shqiptare ishte emocional. “Jam diplomat, nuk komentoj deklaratat e kryeministrit”, - është shprehur ambasadori, ndërsa theksoi se media e ka shtrembëruar konfliktin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë për shkak të largësisë së vendeve. Një ditë më parë, kryeministri Berisha i mohoi akuzat e gjeneralit rus se Shqipëria ka bërë tregti armësh me Gjeorgjinë. Kreu i qeverisë i cilësoi këto akuza shpikje dhe ashpërsoi qëndrimin ndaj Rusisë, duke deklaruar se sjelljet e saj ndaj vendeve të vogla janë të dënueshme.
“Akuzat ruse nuk më çudisin aspak. Kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Por qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla, sipas mendimin tim, është i dënueshëm. Një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO”, - është shprehur Berisha.
Kosova
Përsa i përket lidhjes së pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkazisë me pavarësinë e Kosovës, ambasadori rus përdori të njëjtin argument që ka përdorur diplomacia shqiptare. “A nuk e keni thënë ju vetë që Kosova është rast unikal, apo jo?” - është shprehur ambasadori Prishchepov në përgjigje të gazetarëve. Më tej ai shpjegoi se Kosova është rast unikal dhe nuk ka lidhje me Osetinë e Jugut apo Abkazinë. Ai bëri të ditur se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës.

28 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›