Medvedev: Të ratifikohet sa më shpejt traktati "START"
Presidenti rus, Dmitri Medvedev, u shpreh se ditën e premte i kishte paraqitur parlamentit traktatin e ri të çarmatosjes bërthamore ruso-amerikane, START dhe u kërkoi deputetëve ta ratifikojnë atë në të njëjtën kohë me SHBA-në.
"Paraqita për ratifikim traktatin për zvogëlimin e numrit të armëve ofensive", deklaroi presidenti, mësohet nga një njoftimi të televizionit rus, gjatë një takimi me anëtarë të partisë Rusia e Bashkuar, që ka shumicën në parlament.
"Do t'u kërkoja deputetëve të Dumës dhe të Këshillit të Federatës, Dhomës së Ulët dhe e Lartë e parlamentit, të përpiqen që ratifikimi të sinkronizohet me SHBA, as më parë as më vonë", theksoi ai.
"Kjo do të bënte të mundur arritjen e një besimi më të madh", vazhdoi Medvedev.
Presidenti rus Medvedev dhe homologu amerikan Barack Obama nënshkruan më 8 prill në Pragë "Traktatin e ri START" që konretizon angazhimin e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar në mënyrë të ndjeshme numrin e armëve të tyre bërthamore strategjike. Presidenti Obama dërgoi më 13 maj në Senat traktatin e ri START. Për të hyrë në fuqi, ky traktati duhet të ratifikohet nga Senati, për amerikanët dhe nga Duma, për sa u përket rusëve, konform kushtetutave të të dy vendeve.