E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev, ofensiva e joshjes

30/03/2009  Kërcitja e dëborës nën këmbë, një erë e acartë që fryn nga pyjet me mështekna dhe, në fund, një makinë e vetme e zezë zyrtare që rrëshqet nëpër dëborë. Presidenti Dimitri Medvedev pranohet nga shumica e rusëve të pyetur në sondazh se është më pak i rëndësishëm se sa mentori i tij, Vladimir Putin, ish-president dhe aktualisht Kryeministër. Por kur mbërrin ai duket i rëndësishëm, agjentët e sigurisë të veshur me xhaketa lëkurë në ngjyrë të zezë që vihen menjëherë në lëvizje. Në këtë rezidencë qeveritare jashtë Moskës, situata merr menjëherë një sens urgjence. Është një situatë e çuditshme. Unë jam duke e takuar në rezidencën e tij zyrtare, një kështjellë e vjetër gjermanike që është ndërtuar diku rreth viteve 1880.

Dikur, vetë Cari vinte këtu. Tashmë ndodhet në mesin e një zone të kolonizuar nga rusë super të pasur, kryqëzimi i rrugëve ka një shenjë që tregon “Fshat luksoz” dhe reklamat nëpër rrugë këtu janë vetëm për Rolex, Gucci e udhëtime në SHBA.

Por këtu, në Barvikha, është vendi ku Presidenti pret mysafirët e huaj. Ai nuk ka dhënë asnjëherë intervista të zgjeruara si kjo më parë, ne jemi shumë të privilegjuar. Bëhet gati duke buzëqeshur dhe më hedh një dosje me ngjyrë bualli. Dosja ime e FSB?

Jo, aspak, thjeshtë dosja në Wikipedia e një tjetër personi të quajtur Marr, kjo është e një filologu nga epoka e Stalinit, i cili u përpoq të zbatojë parimet e luftës së klasave në zhvillimin e gjuhës. Tashmë përgjithësisht i harruar, Marri rus iu kujtua Medvedevit pikërisht që nga koha e tij e shkollës.

Ai kishte kërkuar në internet dhe më kish sjellë rezultatet. A kisha lidhje me të? Ne folëm e folëm pa fund dhe unë vërejta se anglishtja e tij është shumë më e mirë nga sa mendohet përgjithësisht, ndonëse, pjesërisht për arsye protokollare, ai flet vetëm rusisht kur kamerat janë të ndezura. Ndonëse ka qenë në detyrë për një vit tashmë, një sondazh i kohëve të fundit konkludonte se vetëm 12 për qind e rusëve besojnë se është ai njeriu që ka në të vërtetë në duar drejtimin e vendit.

Ne e dinim se ai e urren që ta pyesësh se kush e drejton Rusinë, dhe dinim gjithashtu se do të na duhej të vinim rrotull e rrotull për ta bërë pyetjen, por veç kësaj kish shumë gjëra të tjera në axhendë, sidomos duke parë që intervista do të transmetohej në BBC në fundjavën përpara samitit të G20-s.

Këshillë e mirë

Ekonomia ruse ka ngecur me gjashtë milionë të papunë dhe qytete të tëra në prag të kolapsit financiar, ndonëse vija qiellore e Moskës ka ndryshuar me po atë shpejtësi sa edhe ajo e Londrës gjatë viteve të pasur të naftës. Duke gjykuar nga shfaqjet e tij të mëhershme përpara kamerave, është e qartë se Medvedevi ka kryer disa trajnime goxha intensive sa i përket medias dhe ishte në një ofensivë joshjeje. Për çështjet më thelbësore, ai binte dakord se ekonomia ruse ka qenë shumë e varur nga nxjerrja prej nëntokës e naftës dhe e gazit, dhe ka nevojë të diversifikohet, me më shumë biznese të vogla.

Ndonëse na befasoi kur hodhi poshtë ftesën time për të fajësuar bankierët lakmitarë perëndimorë për problemet e Rusisë, duke thënë se kompanitë ruse kishin menduar jo aq sa duhet në lidhje me pasojat, kur morën kreditë perëndimore. “Kur merr hua para, duhet të mendosh gjithmonë se si do ti shlyesh”, tha ai. Këshillë e mirë.

Presidenti Medvedev tregoi një dhunti shkathtësie dhe deri sot të pavënë re të zbukurimit të temave serioze që përmendte me prekje humori. Ndonëse ai do të takohet me Presidentin e SHBA-së, Barak Obama për herë të parë në Londër këtë javë, tha se e njeh shumë mirë për arsye se “e kam parë kaq shumë herë në televizion”.

Dhe vazhdoi duke përgëzuar Presidentin amerikan për faktin se gjatë shkëmbimit të letrave mes tyre kohët e fundit “shumë prej këndvështrimeve të tij përputheshin me mendimet e mia”. Marrëdhëniet politike ndërmjet Britanisë dhe Moskës ishin futur sërish në frigorifer pak vite më parë, me një seri incidentesh që varionin nga akuza të çuditshme për një “gur spiun” deri tek vrasja e Alexander Litvinenkos në Londër. Dukej qartë se Medvedevi ndante mendimin e Sekretarit të Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Lordit Mandelson, sipas të cilit marrëdhëniet po shkriheshin. Temperatura është “si për kohë pranvere”, këmbënguli ai, “tamam si moti për jashtë”, duke bërë me dorë nga dritarja, përtej së cilës kishte 30 centimetra dëborë në tokë. Që do të thotë se ndoshta po tregohej ironik.

“Aktor i mençur”

Dhe kështu ne mbërritëm tek çështja Putin: A ishte Medvedev në kontroll të tij apo e kundërta? Presidenti Medvedev na shpjegoi me durim ndarjen kushtetuese të pushteteve. Pra, a ishte e vërtetë, siç thuhet që Putini i ka thënë Presidentit Sarkozy të Francës, se ai dhe Medvedevi ishin respektivisht polici i keq dhe polici i mirë? “Jo, jo, ne jemi të dy policë të mirë”, këmbënguli Presidenti aktual, duke qeshur ndoshta me pak entuziazëm.

Atëherë, si kishte ndërmend të konkurrente sa i përket nivelit të personalitetit me paraardhësin e tij, i famshëm në perëndim për xhudon e tij si dhe ekspeditat pa bluzë në gjueti. Epo, tha duke bërë humor Medvedevi, “jam gati të bëj një fotografi të tillë nëse kjo më ndihmon”.

Teksa po e mbyllnim, për habinë e të gjithëve, ai na tha disa fjalë në anglisht. Nuk ka asnjë dyshim që i kishte përgatitur me kujdes, dhe nuk është se dolën shumë saktë, por fryma ishte dashamirëse: “Unë ju uroj juve, Britanisë dhe kujtdo suksese në këto kohëra të vështira”.

Një mendim jo i keq për të përfunduar. Cili është Dimitri Medvedev, në të vërtetë. Asnjë intervistë e vetme nuk mund ti japë përgjigje kësaj pyetjeje. Por mua mu duk një njeri në një udhëtim, dhe shumë më tepër interesant nga sa e përshkruajnë, si kukulla e Putinit. Ai është i mençur dhe e di shumë mirë se është aktor në një botë të dominuar nga rivalë të aftë mediatikisht, jo më pak se njeriu prej të cilit ndihet i mrekulluar, Barak Obama.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›