E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e dytë e xhubletës shqiptare



Xhubleta shqiptare përballë shtetit dhe UNESCO-s. Aktualisht, xhubleta shqiptare po jeton ende nëpër 2 jetë ose po bën jetë të dyfishtë. E para është jeta praktike e përdorimit si veshje tradicionale nga gratë malësore në Shqipërinë e Veriut. Nga ana tjetër, origjina e saj e lashtë dhe fakti që xhubleta është sot model i gjallë tipologjik që përdoret vetëm në Shqipëri, ka bërë të lindë dhe të zhvillohet një jetë e dytë e saj, ajo enciklopedike, si pasuri edhe nga trashëgimia e lashtë kulturore euromesdhetare e botërore.

Xhubleta me origjinë të lashtë 4000-vjeçare të bartur dhe të trashëguar nga paraardhësit tanë na ka shërbyer ne shqiptarëve si një emblemë e pazëvendësuar tradicionale e veshur mbi shtatin e grave. Kostumi shqiptar me xhubletë është tip i veçantë dhe shumë interesant veshjeje për gra, i cili ende përdoret në krahina katolike, kryesisht në Malësitë e Shqipërisë së Veriut dhe nuk ngjan me ndonjë model tjetër veshjeje të kohës së re në vendet e Evropës Juglindore. Ndërsa sot, ajo, pra xhubleta, kërkon shërbesën tonë që ta mbrojmë e ta ndihmojmë të mos humbasë nga përdorimi në truallin shqiptar, të mos kthehet relikte. Kjo ëndërr syhapur më nxiti reagimin dhe një vegim...

***

“Xhubleta dhe dekori madhështor i Alpeve” ka qenë studimi i parë i shkruar dhe botuar nga unë më 1985, pasi kreva gjurmim rreth 6 muaj në Malësitë e Shqipërisë Veriore rrëzë ose kundruall Alpeve. E shkrova me një frymë i entuziazmuar edhe prej bukurive alpine, por edhe sepse kudo ku bujta nëpër kulla malësore zakonisht një nanloke dhe nuse të veshura me xhubletë na prisnin me shprehjen “Mirë se ju ka pru Zoti mik n’votrën ton!” Kam fiksuar dhe shënuar i mrekulluar skena të tilla në Vermosh, Bogë, Tamarë, Lëpushë e Koplik (Malësi e Madhe); në Theth, Shalë e Abat (Dukagjin); në Lekbibaj e Rragam (Tropojë), në Iballë e Kryezi (Pukë); në Tale, Ishull-Shëngjin (malësorë të zbritur në Lezhë) etj... Por koha shkoi...

Tashmë, titulli i shkrimit pas dy dekadash “Xhubleta shqiptare përballë shtetit dhe UNESCO-s” më bën të mos ndihem mirë. Asokohe përjetoja idenë se Alpet janë jo vetëm sfond mahnitës, por edhe mburojë për xhubletën në shekuj, e cila përdorej tradicionalisht si veshje e grave malësore, ndërsa këto vite të fundit është rralluar shumë. Është zbehur bashkëjetesa impozante dhe etnokulturore xhubletë - Alpe. Mbrojtëset natyrore të xhubletës, pra Alpet, nuk ndihen fajtore për këtë fakt, sepse mund të hakërreheshin sipas mënyrës së tyre. Alpet shqiptare dhe lugjet e tyre thjesht ndiejnë keqardhje që tashmë rrallë e më rrallë shijojnë nga kreshtat e tyre sipër malësoren fisnike poshtë të veshur me xhubletën hijerëndë, e cila hijeshon shpatet dhe luginat gjatë lëvizjes duke tundur fisnikërisht lugjet prej shajaku përfundi dhe bashkë me to sfilojnë edhe bukuritë simbolike të stolive dhe ornamenteve.

Është e pranuar e vërtetë që shekujt më të fundit dhe ende sot xhubleta shqiptare vazhdon të mbahet me krenari e veshur nga gratë malësore si shenjë e dalluar tradicionale e tyre, ndërsa në studime ajo çmohet jo vetëm si vlerë e gjallë unikale kostumologjike për etnokulturën e shqiptarëve dhe të paraardhësve të tyre, por edhe për qytetërime të lashta euromesdhetare, pavarësisht se ballafaqimet dhe krahasimet për të janë bërë kryesisht me statueta antike ose përmes burimeve arkivore dhe jo me modele veshjesh që janë në përdorim.

Është po ashtu e vërtetë se xhubleta shqiptare që veshin ende gratë nga Malësitë e Veriut e përballoi me vështirësi dhe pa mbrojtje nga shteti, betejën në terren me tranzicionin jo normal 20-vjeçar. E përballoi, mendoj, me taktikat tradicionale të bartëseve të saj, me taktika të sofistikuara të mbijetesës të trashëguara që nga origjina e saj e lashtë. Ndaj edhe mbahet e fortë deri sot.

***

Aktualisht, xhubleta shqiptare po jeton ende nëpër 2 jetë ose po bën jetë të dyfishtë. E para është jeta praktike e përdorimit si veshje tradicionale nga gratë malësore në Shqipërinë e Veriut. Nga ana tjetër, origjina e saj e lashtë dhe fakti që xhubleta është sot model i gjallë tipologjik që përdoret vetëm në Shqipëri, ka bërë të lindë dhe të zhvillohet një jetë e dytë e saj, ajo enciklopedike, si pasuri edhe nga trashëgimia e lashtë kulturore euromesdhetare e botërore.

Por kohët e fundit ky rend normal historik i jetëve të xhubletës shqiptare po cenohet, ngaqë situatat gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit rrodhën si për ters dhe me rreziqe të njohura e të panjohura për xhubletën në Shqipëri. Ndërsa jeta e saj enciklopedike vazhdon të ushqejë botën e studimeve akademike, sot është shfaqur një rrezik i madh: rrallimi i xhubletës në jetën familjare tradicionale me prirje drejt zhdukjes dalëngadalë nga përdorimi në terrenin e saj historik shqiptar.

Si mik i dhembshur dhe apasionant prej 25 vjetësh i xhubletës, ndihem i shqetësuar për fatin e saj në terren sot dhe në të ardhmen. Për parandalimin e këtij rreziku ngremë kushtrimin që përmes grykave ndër malësitë shqiptare ku gjallon xhubleta, të përçohet alarmi për mbrojtjen e saj aktive nga institucione të shtetit shqiptar dhe nga ato ndërkombëtare.

Ky fakt përbën në tërësi një alarm të përgjithshëm etnologjik për veshjet tradicionale të shqiptarëve, ndërsa zhdukja nga terreni jetësor i xhubletës unikale e të pazakontë do të çonte në një humbje të madhe kulturore shumë më tepër se shqiptare, pra edhe si pasuri euromesdhetare e botërore. Rrallimi i saj në votra e kulla është shtuar shumë, ngaqë thuajse është ndërprerë vazhdimësia riprodhuese me teknologji dhe modele tradicionale shtëpiake.

Kur dialogoj me xhubletën në terrenin tashmë të rralluar të saj dhe u kthehem shënimeve të mia rrëfimtare për të çerek shekulli më parë, ndiej drojë dhe gati siklet se ajo po zhduket dalëngadalë nga votrat dhe oborret e malësorëve pa u zëvendësuar. Ritmi i shtuar i rrallimit të xhubletës nxjerr më në pah dhe frikshëm destinacionin e simotrave të saj – fillimisht Festivalin, pastaj... Muzeun, pastaj...

Pastaj shpërthen pyetja: Si ka mundësi?

Xhubleta shqiptare nuk është zhdukur shekujve ani pse, sipas zakonit mortor, edhe është “kallur n’dhe” (në varr) si “ vesh e deks” e malësores. Nuk është zhdukur, sepse ka vazhduar tradicionalisht prodhimi i veshjes nga brezat në vijim. Po atëherë?...

A do ta lëmë xhubletën tonë, o miq e shokë, o malësorë e malësore, o shtetarë vendorë e qendrorë dhe koleksionistë e tregtarë që ajo të mungojë nga jeta e gjallë ndër vatrat tona malësore dhe të fillojë jetën e re muzeale? Që xhubleta shqiptare të tundë lugjet e saj hijerënda jo më ndër bjeshknaja, por të nguroset në muzeume dhe koleksione? Që xhubleta jonë të flasë jo përmes malësores shqiptare që e vesh, por manekini muzeor të drejtojë gishtin tek diçitura brenda peciglasit? Që rrogzinat e zbukuruara çuditshëm të xhubletës (ivat fundore përqark), të cilat me modele pambarim “shkrimesh’’ simbolike ornamentale ngjajnë si fletë kodiku të lashtë, pra, që këto fletë kodikësh të mos shfletohen e të shpjegohen në konakët e familjeve malësore, në gëzime e hidhërime si tradicionalisht janë përcjellë në shekuj, por të ngrijnë të padeshifruara brenda vitrinave të qelqta?... Pra, në fund të fundit, ne a do të bashkëjetojmë dot përmes mosveprimit tonë me faktin se xhubleta po rrallohet dhe po zhduket dalëngadalë nga jeta tradicionale familjare e shqiptarit malësor?

Është e vërtetë që ne shqiptarët ndihemi mirë jo vetëm që një xhubletë me të kuqe e shqiptarëve e shek. XVIII përfaqësohet në Musee de L’ Home në Paris, apo që xhubleta ka qenë kryefjala dhe kryeneçja më kurioze midis kostumeve popullore të ekspozuara në ekspozitat etnografike që Instituti i Kulturës Popullore ndër dekada ka çelur jashtë Shqipërisë si në Norvegji, Austri, Itali, Gjermani... etj.

Ne shqiptarët ndihemi mirë jo vetëm që 150 vitet e fundit kanë gëluar studime e debate për xhubletën shqiptare ndër botime shkencore nga autorë të huaj si D. Kordinez, B. Tilke, F. Nopsca, A. Haberland, E. Durham, A. Garasanin... etj. dhe nga autorë shqiptarë si Rr. Zojzi, A. Gjergji, B. Jubani... etj. apo që xhubleta si rrallë tjetër veshje, është fiksuar në ilustrime ndër libra dhe enciklopedi e sidomos në fotostudion “Marubi” në Shkodër.

Ne shqiptarët ende ndihemi mirë jo vetëm që xhubleta shquhet në aktivitete folklorike në Shqipëri e jashtë saj apo gjallon ndër filma dhe në vepra të artistëve figurativë e të krijimtarisë folklorike gojore; ndihemi vërtet mirë jo thjesht që si prototip më i lashtë i xhubletës shqiptare të sotme pranohet deri tani një terrakotë në miniaturë e zbuluar në Klicevac (Kroaci) që i takon epokës së bronzit rreth 4000 vjet më parë dhe është vazhduar nga ilirët 2000 vjet më pas nga zbulimet në një varr në Bushat të Shkodrës, por më tej, në shekujt e fundit, xhubleta është krahasuar dhe ballafaquar me figurinat e hyjneshave kreto-mikenase apo nga fakti që në kohën tonë silueta në formë kambane të valëzuar e koracës së zhguntë të xhubletës së sotme shqiptare duket farfuritëse në modelin andaluzian të grave spanjolle ose gjendet si e transferuar në një variant ceremonial kostumi grash në Norvegji, e quajtur Setesdal Bunad. Jo vetëm për këto ndihemi mirë ne shqiptarët, sepse ato janë jeta e dytë, e dyfishtë e xhubletës tonë, ajo enciklopedike.

Kënaqësia dhe krenaria jonë plotësohet sidomos përmes jetës së parë të xhubletës, pra e shijojmë kur ajo vazhdon tradicionalisht edhe të përdoret nga gratë në nalësitë e Shqipërisë së Veriut.

E dhimbshme dhe e pamerituar është situata, mendoj, por prapë mendoj dhe ngulmoj se ka shpresë, kurajë, traditë dhe energji njerëzore mes nesh për ta ndryshuar këtë situatë. Një lëvizje e argumentuar shkencore dhe e mbështetur zyrtarisht nga shteti duhet për ta mbrojtur xhubletën shqiptare si vlerë e gjallë ndër shqiptarë me rrezatim kulturor mijëvjeçar nga qytetërime të lashta euromesdhetare. Është përgjegjësia jonë e madhe etnokulturore për popullin të cilit i përkasim, por edhe më gjerë.

Thënë më shkurt: Xhubleta kërkon një dosje të plotë shkencore që ajo urgjentisht të merret në mbrojtje për zhvillim nga shteti shqiptar si vlerë e dalluar e kombit tonë dhe pastaj të propozohet zyrtarisht që xhubleta shqiptare si vlerë e gjallë unikale edhe nga pasuritë e lashta euromesdhetare, por që po rrallohet në vatrën e saj të fundit në Shqipëri, duhet të merret nën kujdes nga UNESCO-ja, bazuar në konventat më të fundit të saj.

Vitet e fundit kam pranuar dhe kam hedhur në qarkullim mediatik-shkencor këtë ide, por koha nuk pret më... koha erdhi...

Tashmë ne shqiptarët duam dhe kërkojmë që jeta enciklopedike kulturore e xhubletës sonë të vihet në shërbim mbrojtjes së jetës prej nga buron, pra që xhubleta të aktivizohet gjallërisht në jetën e saj tradicionale në malësitë e Shqipërisë së Veriut, dhe ... kur të gjendemi ndër ato vise ne dhe turistë të hipur në kuaj apo në këmbë drejt 6-7 kullave malësore të projektuara deri tani midis 40 haneve, jo vetëm në shtatë, por në hyrje të çdo kulle të na dalë malësorja me xhubletën e pazakontë dhe të na mirëpresë aq bukur: “Mirë se ju ka pru Zoti mik n’votrën ton!”

Vegimi im më thotë se kështu xhubleta shqiptare do të rigjallërohet dhe do të vazhdojë të mbetet vlerë më e arrirë jona dhe për kulturën botërore.

Xhubleta e meriton shërbesën tonë në këtë çast delikat të jetës pas 4000 vjetësh aktivë të saj...

*Studiues në Institutin e Antropologjisë Kulturore

dhe Studimit të Arteve pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike

1. Foto Marubi, 1890

2. Motiv nga lashtësia

3. Fragment dekoracioni

6. Në ditët tona

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›