Mid’hat Frashëri, zbulohen esetë në frëngjisht
“Fati i Shqipërisë” në disa ese të Mid’hat Frashërit. U prezantua dje botimi i përkthyer në shqip i veprës nga shoqata “Lumo Skëndo”
Një botim i ri i veprës së Mid`hat Frashërit u prezantua dje nga shoqata që mban emrin e tij letrar “Lumo Skëndo”. Në mjediset e Hotel Tirana International u diskutua për veprën “Fati i Shqipërisë” me përmbledhje të eseve të ndryshme të shkruara nga Frashëri. Botimi i kësaj vepre është përkthyer nga frëngjishtja prej Aleko Gjergos dhe Rafael Floqit. Aleko Gjergo u shpreh në këtë prezantim se “shoqata “Lumo Skëndo” prezanton këtë botim në 129-vjetorin e lindjes së Mid`hat Frashërt, pasi një nga prioritetet tona që prej themelit në vitin 1991 është botimi i plotë i veprave deri në sjelljen e eshtrave të tij në atdhe”.
Figura dhe roli që pati Mid`hat Frashëri në momente të ndryshme të historisë sonë u soll për të pranishmit nga Uran Butka, i cili në një prej librave të tij e ka quajtur Frashërin si “Gjeniu i Kombit”. Për këtë ai thotë: “Ai nuk është gjeni vetëm për dashurinë që pati për Shqipërinë, por edhe për madhështinë e veprës së tij, pasi Mid`hat Frashëri është një figurë madhore me përmasa evropiane”.
Duke e quajtur Mid`hat Frashërin si një pasuri të madhe kulturore për vendin tonë, Butka shtoi: “Ky gjeni po shkëputet gradualisht nga harresa dhe po del nga toka”.
Një tjetër veçori e vlerësuar për këtë figurë letrare dhe historike të kombit tonë është dhe "aftësia e tij për të parashikuar dhe paraprirë me shkrime disa prej ngjarjeve historike të Shqipërisë".
Botimi i kësaj vepre është bërë nga shtëpia botuese “Belina H” dhe është mundësuar nga kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi.
Mid'hat Frashëri lindi më 25 mars të vitit 1880 në Janinë dhe vdiq më 3 tetor 1949, në Nju Jork, SHBA.
I biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, ai ka qenë protagonist i pavarësisë së Shqipërisë dhe i lirisë kombëtare, kryetar i Kongresit të Manastirit, delegat i Kosovës në Kuvendin e Vlorës (1912), firmëtar i Pavarësisë, ministër i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e Princ Vidit, ministër në qeverinë e Turhan Pashës, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, mandej, përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve.
Por jo vetëm kaq. Ka qenë ambasador i Shqipërisë në Greqi, ambasador i kulturës shqiptare në Evropë, autor i shumë botimeve në gjuhën shqipe e gjuhë të huaja, si gazeta "Lirija", revista "Diturija" dhe veprat "Hi dhe shpuzë", "Plagët tona", "Shqiptarë e sllavë", "Çështja e Epirit", "Rilindja Shqiptare", "Pritmi i Shqipërisë", "Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë", "Udhëtarë të huaj në Shqipëri" etj.
Më pas do të ishte ai që do të themelonte organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes, ku dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes kombëtare, veçanërisht në trajtimin bashkëkohor dhe të argumentuar të çështjes së Kosovës. Misionar i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit nacional dhe në bashkëveprim me aleatët perëndimorë, arriti të realizonte dhe disa marrëveshje në Shqipërinë e Veriut, si në Lurë, Lumë, Dibër, Sllovë, në frymën e Marrëveshjes së Mukjes. Udhëheqës antifashist, i drejtoi forcat nacionaliste në luftën kundër pushtuesve italianë e gjermanë.
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, u përpoq të shmangte luftën civile, por kur ajo nuk u ndal dot, u bë pjesë e saj dhe i vënë në mes dy zjarreve: atij komunist e atij nazist, e ndërpreu përkohësisht luftën kundër gjermanëve. U largua nga Shqipëria si emigrant politik antikomunist, për të themeluar komitetin “Shqipëria e Lirë”, kryetar i të cilit ishte derisa vdiq. Kur themeloi komitetin “Shqipëria e Lirë”, vuri dy kushte për pranimin e personaliteteve në këtë komitet. I pari, të mos ketë bërë krime kundër njerëzimit dhe i dyti, të mos ketë bashkëpunuar me fashizmin. Kjo intrasigjencë i habiti dhe i tejkaloi edhe aleatët anglo-amerikanë.