E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqja në Akademinë e Arteve

Londo me "Kopshtin e vishnjeve" dhe botën materiale
Regjisori Kiço Londo vjen më 2 prill me komedinë "Kopshti i vishnjave" i Anton Çehovit
(1860-1904). Londo i kthehet autorit të preferuar disa vite pas vënies në skenë me trupën e Teatrit Kombëtar të "Pulëbardhës".


Kopshti ku nis një epokë e re (E gjithë Rusia është një kopsht, thotë diku një personazh), ai që i lidh të zotët me kujtimet, me të parët e tyre, bëhet dalëngadalë vendi i rrënojave të romantizmit të aristokracisë.

Aty po lind komercializmi, ai që do të grabisë pak nga pak bukurinë e natyrës dhe të njerëzve. Koha e materializmit ka ardhur.


Londo është shprehur se po sjell një shfaqje që në mënyrë simbolike paraqet "kompleksin e kopshtit", kompleks që "ka të bëjë me gjymtimin psikologjik dhe shpirtëror që i krijohet njeriut kur humb gjënë më të mirë të vetes apo të jetës: një pronë, një pasion, një profesion, një ëndërr.

Me humbjen e kopshtit, "pronarët e vjetër" humbin ëndrrën, prejardhjen, identitetin që nuk janë çështje materiale por psikologjike, botëkuptimore."


Vepra vjen si prodhim i Teatrit të Metropolit të cilin Londo e drejton prej dy vjetësh, është përkthyer nga Besi Londo, skenografia është realizuar nga Berinda Kokona.
Interpretojnë Eni Jani në rolin e Ljubova Andrejevnës, Alban Krasniqi në rolin e Gajevit,
Loredana Gjeçi në rolin e Varjes, Roland Saro në rolin e Trofimovit, Bledar Naska në rolin e Jashës, Adriana Tolka, Devis Muka, Esela Pysqyli, Genti Decka, Orjana Cama, Valon Pallaska, Marvin Tafaj, Ledjan Papagjoni.


"Kopshti i vishnjeve" mendohet të ketë 20 shfaqje duke nisur nga 2 prilli deri më 3 maj nga e enjtja në të diel, ora 21.00 në skenën e Akademisë së Arteve.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›