E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi letër Ruçit: Eja në tryezë më 29 Mars

“Të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona, për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike”

Një javë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale për 8 Majin, Partia Demokratike thërret një tryezë politike për të kontribuar në zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, pa prekur Kodin Zgjedhor. Përmes një letre, kreu i deputetëve demokratë Astrit Patozi i kërkon Gramoz Ruçit që të ulet në një tryezë më 29 Mars, në orën 11:00, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri. “Në këtë takim, me angazhimin e gjithsecilit, të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona, për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues. Kam bindjen se një angazhim i tillë garanton përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe se ai do të japë kontribut dhe garanci shtesë, përkrah këtij kuadri normativ, për zgjedhje demokratike, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”, shkruan Patozi. Demokratët vlerësojnë se si energjia e kontributit të përbashkët e të gjithë aktorëve krijon kornizën dhe truallin e nevojshëm, që zgjedhjet të jenë një celebrim i plotë i demokracisë. “Gjithsecili prej tyre ka rol të përcaktuar qartë dhe e kryen atë pa ndërhyrë në detyrat e aktorëve të tjerë. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009 përcakton për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, se ato përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së për zgjedhje demokratike”, shkruan Patozi. Ai nënvizon faktin se për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe arritjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR-it sugjeron 31 rekomandime, ku disa prej tyre i drejtohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi partive politike. “Tashmë, administrata zgjedhore, me në krye KQZ-në, që është organi suprem për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe administrata shtetërore në nivel qendror dhe vendor, janë në një fazë të avancuar dhe intensive të zbatimit të kuadrit ligjor për përgatitjen e zgjedhjeve, duke adresuar të gjitha ato rekomandime të raportit të OSBE/ ODIHR-it, që kërkojnë veprim administrativ, pa ndryshuar ligjin. Theksojmë se stabiliteti i procesit përgatitor, i bazuar në zbatimin e rregullave, që kemi miratuar me konsensus të plotë, ka një rëndësi themelore për standardin e zgjedhjeve”, thotë Patozi. Ne mendojmë se i një rëndësie themelore mbetet rekomandimi i parë i këtij raporti, vlerëson Patozi, i cili kërkon që “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë sipas ligjit, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë”. Mazhoranca mendon se kuadri ynë kushtetues dhe ligjor për zgjedhjet përfshin të gjitha parimet, standardet dhe garancitë e nevojshme të përcaktuara nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, për rrjedhojë zbatimi dhe respektimi i plotë dhe vullnetmirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe institucioneve të mandatuara prej tyre, është garancia më e mirë, jo vetëm për përmbushjen e interesave legjitime të subjekteve zgjedhore, por mbi të gjitha, të interesit të zgjedhësve shqiptarë. “Ne jemi të bindur se angazhimi me vullnet të plotë politik, jo vetëm i partive të mazhorancës së qeverisë, por edhe atyre të opozitës parlamentare, qoftë në zbatim të detyrimeve të tyre në administrimin zgjedhor, apo si subjekte zgjedhore, në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe ligjor, do të rriste maksimalisht standardet e procesit zgjedhor”, shkruan Patozi në letrën drejtuar Ruçit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›