E Shtunë, 31 Tetor 2026

Megalomani dështak Edi Rama mori ndëshkimin e merituar nga realisti Ilir Meta

Nga Orhan ZARSHATI
Edi Rama, ideatori i Kodit të ri zgjedhor dhe i ndryshimeve të mbrapshta kushtetuese, pësoi një disfatë spektakolare nga ky kod që e ideoi vetë, ose siç thotë populli, desh ti bënte gropën LSI-së dhe Ilir Metës dhe ra vetë brenda me gjithë shpurën e servilëve që e rrethojnë. Me Kodin zgjedhor të hartuar nga intriganti punist Kastriot Islami dhe pionieri i Enverit Fatmir Xhafaj, Edi Rama i dorëzoi Sali Berishës çelësin e artë jo të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë, të parlamentit dhe të qeverisë së ardhshme të saj. I gjatë me trup, por i shkurtër me mendje, Edi Rama mbasi injoroi ligjet e politikës, logjikën e fakteve dhe vlerën e numrave përcaktues, i kapur maniakalisht pas pushtetit absolut; dëshmoi edhe njëherë se është një aventurier i pashembullt politik, që vuan nga deliri i madhështisë dhe mania e persekucionit.
Me mendjen top se do të nxirrte Sali Berishën në pension, tashmë është e qartë se ky politikan me mendësinë e një kryebashkiaku e pësoi vetë nga ideja fikse për të asgjësuar në radhë të parë LSI-në, por edhe partitë e tjera të vogla. Tani ky politikan që i bëri hesapet pa hanxhinë, do të largohet vetë nga politika, si një fantast që u ngjit në katet më të larta të politikës me një shtytje pindarike.
Sali Berisha, i nisur, i bindur dhe i mbështetur nga përvoja e pasur politike dhe elektorale, e pranoi ofertën e Edi Ramës për të zhdukur të vegjlit e politikës; i sigurtë se dobia e marrëveshjeve të paparimta për Kodin zgjedhor, Ndryshimet kushtetuese, Reformat në drejtësi, Ngushtimin e kompetencave të presidentit, do të ishin patjetër në favor të tij. Kështu Edi Rama, ra viktimë e bindjes dhe e fobisë së tij se do të dilte i fituar me pazarin e ndyrë që bëri me Sali Berishën, për një supremaci politike dypartiake në vend, ku ai si novator, do të kryesonte në politikë dhe në drejtimin e shtetit. Por ndodhi krejt e kundërta, Sali Berisha me gjithë konsumimin nga pushteti dhe skandalet e Gërdecit, Fazlliçit etj. Përsëri mori më shumë vota dhe vende deputeti për në parlamentin e ardhshëm. Marrëveshja e tij e zgjuar për koalicion qeverisës me Ilir Metën; nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë si pazar i fëlliqur politik dhe as si xhuvelizëm, por si një hap i mençur në kushte krejt specifike mbaszgjedhore; me këtë marrëveshje Ilir Meta u tregua si një vizionar realist dhe jo patericë e Berishës; përkundrazi Edi Rama ra në pozitat e një paterice për Berishën, kur u mor vesh me të për Kodin zgjedhor,Ndryshimet kushtetuese etj.
Konfigurimi i parlamentit të ri do të bëhet pa përfshirjen në përbërjen e tij të eksponentëve të njohur të politikës shqiptare, si: Arian Starova, Gilman Bakalli, Lufter Xhuveli, Nard Ndoka, Neritan Ceka, Nikoll Lesi, Paskal Milo, Petro Koçi, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela; si edhe të aspiruesve për të qenë në parlament, si: Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Armando Ruço, Dashamir Shehi, Ekrem Spahiu, Monika Kryemadhi, Sadik Berisha etj.
Sistemi proporcional-rajonal pati për pasojë manipulimet më të turpshme dhe absurde në administrimin e votave, megjithëse u aplikua një teknikë e sofistikuar elektronike, por që dhe ajo u manipulua me sukses nga dy dinozaurët e politikës, të cilët votat e të vegjëlve të majtë i dërguan majtas në favor të PS-së, ndërsa votat e të vegjëlve të djathtë i dërguan djathtas tek PD-ja. Politikani i ri, Edi Rama, e humbi davanë, por ai vazhdon të mburret se duhej kështu e duhej ashtu; ai i injoroi sondazhet dhe exit pollet, por ra kokë e këmbë brenda kurthit që i ngriti LSI-së!
Edi Rama ky xherrimanderist (gerrymander) i deformimit të rezultatit të votimit, i kapur fort nga mania e madhështisë, por bosh në përvojë politike, i vetëkënaqur dhe i vetëbindur se vetëm ai ka të drejtë (Il Duce ha sempre raggione Duçja ka gjithmonë të drejtë); mbasi e kuptoi se ka humbur filloi të kundërshtojë egërsisht numërimin e votave, procedurën e të cilit e ideoi vetë dhe e zbatoi vetë në mënyrën më të turpshme.
Edi Rama në emër të politikës së re i largoi të gjithë eksponentët e vjetër të PS-së, duke mbajtur rreth vetes servilë të bindur e të nënshtruar, siç bëri në Bashkinë e Tiranës; por Partia Socialiste nuk ishte bashki, prandaj e pësoi në zgjedhjet e konsideruara pastandarde. Ai desh të bënte trafikim votash, deputetësh dhe njerëzish, por kjo i ra mbikrye, si një bumerang.
Votimi shkoi mirë, populli u soll korrekt dhe me kulturë; edhe transportimi i kutive me fletët e votimit shkoi mirë; por administrimi - numërimi dhe nxjerrja e rezultateve u kryen në mënyrën më skandaloze, me veprime të rënda dhe tronditëse, si pasojë e punës së ndyrë të vëzhguesve, komisionerëve dhe numëruesve, militantë partiakë të PD dhe PS. Dinozaurët të mos gëzohen se po i gëlltisin minizaurët e politikës; as Edi Rama të mos mburret se do ta vejë në vështirësi të paimagjinueshme koalicionin pragmatist dhe optimal  PD-LSI.
Edi Rama duhet të mbajë parasysh faktin se ai nuk i fitoi zgjedhjet, mbasi doli keqas kundër realistit Ilir Meta. Edi Rama pushtetar vendor, bashkëpunoi me Sali Berishën pushtetar  qendror, për të miratuar një Kod zgjedhor proporcional-rajonal (a thua se Shqipëria ishte si Spanja me Katalonjën etj. rajone që kërkojnë pavarësi relative ,ose të plotë) për të nxjerrë jashtë loje LSI-në dhe për ta ulur në minimum ndikimin politik dhe peshën elektorale të Ilir Metës.
Edi Rama i mësuar me lëvizje dhe intriga të vogla, me leje ndërtimi etj. veprime minore politike; nuk arriti të luajë si lojtar i madh politik në arenën zgjedhore të Shqipërisë; atë e gënjente mëndja se do të arrinte suksesin e Zhak Shirakut, nga kryebashkiak në kryeministër dhe president i Francës;prandaj si politikan i mendësisë së re përtej të djathtës dhe të majtës, Edi Rama ëndërronte të arrinte postin e kryeministrit dhe më vonë pse jo atë të presidentit të Shqipërisë!
Kryetari modernist i socialistëve mendon të veprojë fuqishëm në opozitë,ai nuk ka dhënë dorëheqjen si humbës i madh i zgjedhjeve parlamentare (jo vendore, që i ka fituar edhe në saje të mbështetjes nga Ilir Meta). Edi Rama të mos harrojë se deri kur të konstituohet parlamenti i ri, politikani me përvojë të madhe në të gjitha aspektet e koalicioneve dhe qeverive të dala nga koalicionet, Sali Berisha, do ta konsolidojë pozitën dhe rolin e tij në drejtimin e vendit  dhe do tia ngushtojë hapësirën e veprimit Edi Ramës së vetëkënaqur, por që në fund të fundit rezultoi qartë si një politikan me mangësi të ndjeshme dhe dështak në synimet e tija politike. Ai e quajti me pa të drejtë Ilir Metën si përfaqësues i politikës së vjetër, kur vetë demonstroi se ishte politika me mendësi arkaike..

Last Updated on Tuesday, 07 July 2009 19:16

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›