PS, Braçe: Berisha po deformon zgjedhjet, të numërohen votat në Berat

Në kudër të probleme të procesit zgjedhor e sidomos të numërimit të votave në veçanti, ka reaguar sërish Partia Socialiste, e cila akuzon kryeministrin Berisha se po deformon votën e shqiptarëve me zgjatjen e qëllimshme që po i bën procesit të numërimi të votave. Anëtari i Kryesisë së PS, Erion Braçe, u shpreh se procesi zgjedhor i nisur më 28 qershor nuk ka mbaruar, nuk po mbaron dhe nuk dihet kur do të mbarojë. Shtrirja e paligjshme e tij përtej çdo caku, po ushqehet nga bindja kriminale e Sali Berishës për të deformuar e vjedhur votat e shqiptarëve për forcën e parë politike në vend, Partinë Socialiste.
Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe 7 ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, proces i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëj të pranueshëm, tha Braçe. Gjithashtu ai theksoi se Kushtetuta e Shqipërisë është kjo, dhe në nenin 45/1-4, të saj thuhet: çdo shtetas që ka mbushur 18-vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Çdo votë e pa numëruar, çdo votë e vjedhur, cenon këtë parim kushtetues duke e bërë tërësisht të papranueshëm procesin zgjedhor. Në Berat, qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste mandatin e 5, mandat i cili po vidhet nga Sali Berisha. Ne kemi të gjitha provat e mjaftueshme që ai mandat është i yni, ndaj kemi kërkuar duke u mbështetur në ligj, transparencë mbi çdo votë të numëruar në kushte terrori e presioni kriminal në KZAZ nr 1. Kemi kërkuar rivlerësimin e 750 votave të pavlefshme, të shpallura të tilla në kushte presioni e pa vendim të administratorëve në KZAZ nr 1, shtoi Braçe. Ai sqaroi se PS ka kërkuar rivlerësim të 1448 fletëve të votimit të pavlefshme, të shpallura të tilla me vendim numerik shumice të administratorëve të KZAZ nr 2, duke shtuar se këto vota janë disa herë më shumë se sa votat e vjedhura me të cilat Sali Berisha grabiti mandatin e 5. Sipas Braçes, qeveria e Berishës është instrumenti i paligjshëm dhe i dhunshëm, që kërkon të dekurajojë numërimin dhe transparencën e çdo vote. Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë, dhe në të thuhet qartë: neni 71/1: Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës zgjedhor. Pa mandatet në Fier, Tiranë dhe Berat, nuk ka qeveri as virtuale, as e trafikuar, e as hibride, as legjitime. (Këtu nuk kam parasysh vetëm dy mandatet e dy deputetëve, që si fat fundor kanë mbetjen në burg). Ne jemi këtu për të siguruar çdo shqiptar votues, se me çdo çmim, do të lexojmë dhe do të bëjmë transparente çdo votë pavarësisht se kush do të jetë përballë, Sali Berisha apo mbi 400 kriminelët e liruar nga burgu për zgjedhjet, si bashkëpunëtorët e tij jetik, përfundoi Braçe.