E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alpinistët sllovenë vizitojnë qytetin antik të Antigonesë

Vizita alpinistëve sllovenë në qytetin antik të Antigonesë është konsideruara si një vizitë e veçantë. Për herë të parë një grup alpinistësh të moshës nga 16 deri në 70 vjeç, ngjiten në këmbë për në qytetin antik, themeluar nga Mbreti Pirro për nder të gruas së tij Antigona. I befasuar nga pamjet e natyrës dhe vendet që ka vizituar, drejtuesi i grupit Renato Ribic është shprehur se tashmë ka ardhur koha që këto pasuri natyrore të prezantohen në arenën ndërkombëtare. Vizita e alpinisteve Sllovene është organizuar përmes bashkëpunimit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, e cila ka kontakte me simotrat e saj ballkanike, si dhe me ato Gjermane dhe Austriake. Jani Ziso, president i kësaj federate bën të ditur se deri tani grupet e kësaj natyre kanë vizituar kryesisht Shqipërinë e Veriut, por kaq të befasuar kanë mbetur edhe nga ato çka ofron Jugu i vendit. Vizita e Antigonesë vjen pas një axhende të ngjeshur të këtij grupi alpinistik në Llogara, Theth, Dhembel, Tomor dhe Morave. Vizita në Antigone është pasuar edhe me një vizitë në qendrën artizanale të Antigonesë, ku alpinistët janë njohur me prodhimet tradicionale shqiptare. Parku Kombëtar  Arkeologjik i Antigonesë shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarë. Sipas dëshmive dhe shkrimeve të vjetra, Antigone e lashtë ka qenë një qytet që u ndërtua nga Mbreti i Molosëve, Pirro. Njehsimi i vendndodhjes së Antigonesë ka qenë objekt i debateve shkencore për shumë dekada, por nga të gjithë pranohet se zbulimi dhe identifikimi përket arkeologut shqiptar, Dhimosten Budina, i cili gjatë ekspeditave dhe gërmimeve që bëri për vite të tëra (1970 - 1985) arriti dhe zbuloi i pari disa tesera votimi të argjendta me emblemën e antigonianëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›