Mehmedi beson në këndelljen e Zurichut

Zurichu nuk po kalon momente të mira në Kampionatin zviceran këtë sezon. Pas 18 ndeshjesh të zhvilluara, ky ekip ka regjistruar 6 fitore, 3 barazime dhe 9 humbje, duke grumbulluar 21 pikë, kurse vitin e kaluar grumbullonte 31 pikë, prej tyre 8 fitore, 7 barazime dhe 3 humbje.
Përkundër këtij fakti, sulmuesi shqiptar beson se Zurichu do të këndellet në pjesën e dytë të sezonit. Të shtunën, kjo skuadër barazoi në shtëpi ndaj Sionit, në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor.
“Kemi 10 pikë më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, sezonin e kaluar demonstruam se jemi në gjendje t’i arrijmë pikët e humbura. Në futboll, gjithçka është e mundur”, deklaroi përfaqësuesi zviceran për uebfaqen 20min.ch.
“Është evidente që këtë sezon kemi grumbulluar shumë pak pikë, duke e pasur parasysh se çfarë ekipi kemi. Pas pauzës, është një mundësi e mirë për t’u përgatitur. Kemi potencial”, vazhdoi 20 vjeçari, i cili nuk po mendon për largim nga Zurichu.