E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gladiatori i Lazios

Lorik Cana e priste momentin e tij në heshtje, dhe më në fund shpërtheu. Mesfushori kosovar është treguar një gladiator i vërtetë, duke shënuar gol dhe duke ndihmuar ekipin Biancocelesti, drejt fitores ndaj Lecces. 28-vjeçari ndihet mirë që e ndihmoi ekipin e tij, për të cilin thotë se ka kualitet të madh. Përfaqësuesi shqiptar e përsëriti edhe një herë se nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Lazio.

E priste momentin e tij dhe e bëri këtë në heshtje, duke treguar shembull për të tjerët.

Lorik Cana, gladiatori i Lazios e ka ngritur vlerën e tij në ‘betejën’ e zhvilluar në Lecce. Gladiatori Cana, luftëtari Cana. Loriku është luftaraku i pandalshëm i kësaj Lazioje.

Nuk do të mund ta zgjidhte një ndeshje tjetër, për ta demonstruar se sa i rëndësishëm është për këtë skuadër. Trajneri Edy Reja ia ka dhënë rastin në momentin më të keq, kur Lazio po vuante nga loja e kundërshtarit dhe në mes të fushës, Biancocelestëve u nevojitej një lojtar që t’ia ‘kapte dorën’ Cristian Ledesmas.

Cana nuk ka zhgënjyer, madje, është treguar ‘i gjallë’, ashtu siç ka bërë gjithmonë në karrierën e tij. Ai nuk e ka lëshuar asnjë centimetër të fushës, duke impresionuar më pas me një gol në minutën e 47-të, për avantazhin momental të ekipit të tij, 2:1. Për të qon peshë vetëm Lazio.

“Kam shënuar gol, mirëpo e rëndësishme ishte të fitonim. E kam parë pjesën e parë në bankinë dhe kemi vuajtur shumë. Ata luajtën mirë dhe shfaqën kualitet. Nëse do të shkonin 2:0, nuk do të ishte padrejtësi. Më pas, në pjesën e dytë filluam më mirë. Ne kemi sulmues që nuk falin dhe një mentalitet që nuk heqim dorë nga asnjë centimetër”, deklaroi mesfushori kosovar për uebfaqen lalaziosiamonoi.it.

- “E dinim se kjo ishte një ndeshje e vështirë. Patëm fat, por kemi lojtarë që e vendosin lojën. Miroslav Klose e bëri diferencën. Ai është vendimtar për ne, që nga folmi i sezonit”, vazhdoi ai.

Cana luajti me zemër, njëjtë si e tërë skuadra. Ai ndihet i lumtur me fitoren, por edhe me paraqitjen individuale të tij. “Nuk jam një 18 vjeçar. E di se kur luan në një skuadër të madhe, të gjithë presin paraqitje të rëndësishme. Unë stërvit fort dhe jam gjithçka. Mundohem t’i ndihmoj shokët e skuadrës dhe ndihem afër njerëzve, tifozëve. Nuk jam i preokupuar për të ardhmen time. Këtë gol ia dedikoj njerëzve të mi që më përcjellin nga Italia dhe Shqipëria”, shtoi ai.

Për Canën, e ardhmja është në fanellën Biancoceleste. “Kam lexuar të shkruanin se do të shkoj diku tjetër, por unë nuk mendoj për këto gjëra. Ndihem i rëndësishëm dhe dëshiroj të kontribuoj. Duhet t’ia demonstroj tifozerisë së këtushme se sa vlej në të vërtetë”, nënvizoi ish futbollisti i PSG-së, Marseilles, Sunderlandit dhe Galatasarayt. Cana nuk po mendon për Scudetto, por thotë se Lazio ka kualitet të madh dhe do të luftojë deri në fund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›