Meksi: PD-PS ofrojnë qeverisje me familjet e tyre
Kandidatët e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar kanë spostuar fushatën elektorale në qarkun e Tiranës dhe janë fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Kryetari i Polit të Lirisë, Aleksandër Meksi tha dje gjatë një takimi me komunitetin e beratasve në kryeqytet, se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste gjatë qeverisjes së tyre kanë treguar se sundojnë vetëm me familjet dhe klientët e tyre. “Mos kini frikë sepse nuk vjen përparimi nëse kini frikë, në qoftë se votën tuaj nuk e hidhni për një alternativë të ndryshme nga ajo që na kanë mësuar këto dy parti, të cilat kërkojnë të sundojnë vetë me familjet e tyre, me fisin e tyre, me bashkëkrahinorët e tyre dhe me ata që kanë klientë me punë të pista, sepse korrupsioni në tërë botën quhet i pisët”- theksoi Meksi në fjalën e tij. Ish-kryeministri vuri theksin gjithashtu edhe në programin e Polit të Lirisë për sa i përket reformës në drejtësi dhe zgjidhjes së çështjes së pronave dhe ish të përndjekurve të regjimit komunist. Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi u ndal gjatë një takimi në njësinë bashkiake nr. 5 te çështja e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe bashkimit Evropian. Ai tha se ndryshe nga sa pretendojnë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, heqja e vizave për Shqipërinë nuk është as një çështje elektorale dhe as politike. Shehi tha se Shqipëria duhet të japë prova për pajisjen e qytetarëve me dokumente të sigurta përpara se të përfitojë liberalizimin e vizave. “Të gjithë thonë jo do t’i heqim ne vizat, jo do t’i heqim ne të tjerët. Kjo është përrallë, kushdo që të vijë në pushtet vizat nuk hiqen para fundit të vitit tjetër. Duhet të kuptoni që kjo nuk është në dorën tonë, këta e kanë bërë çështje politike, por kjo nuk është as çështje politike, as çështje fushate. Ne kemi gjashtë muaj që nuk bëjmë dot kartat e identitetit, si do bëhen 3 milionë pasaporta biometrike? Pa një vit ato nuk bëhen asnjëherë”, u shpreh Shehi.
Spiunët
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi akuzoi dy forcat e mëdha politike se në listat e tyre kanë kandidatë me dosje. “Siç ka thënë zoti Topi ka të tillë dhe s’duhet të kishte të tillë. Mbase ja vlen edhe një ndërhyrje e tillë, qoftë dhe këto ditë që kanë mbetur të na i bëjnë ata që merren me këto punë. Unë i njoh të partive të mëdha, ato kanë qenë në politikë në atë kohë, të tjerët s’para kanë dalë dhe nuk besoj se do ketë të tillë. Janë dhe në krye të listave në ndonjë vend”, tha Meksi.