Senati i SHBA: Shqipëria të bëjë zgjedhje të besueshme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë sërish thirrje Shqipërisë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe sipas standardeve. Kur ka ngelur më pak se një javë nga procesi elektoral i 28 qershorit, Senati i SHBA miratoi të premten një rezolutë, ku vë theksin pikërisht në cilësinë e këtyre zgjedhjeve. Në rezolutë thuhet se Senati amerikan “njeh arritjet demokratike të popullit të Shqipërisë dhe shpreh shpresën se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të ruajnë dhe përmirësojnë transparencën dhe paanshmërinë e demokracisë në Shqipëri.”
Rezoluta
Duke njoftuar rezolutën, kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Xhon Kerry, nënkryetari i Komisionit, Riçard Lugar si dhe senatorët Benxhamin Kardin, Xhin Shahin, Ted Kaufman dhe Xho Liberman, bënë një deklaratë ku njohin arritjet demokratike të Shqipërisë. “Interesi i natyrshëm që Amerika ka në Shqipëri nuk mori fund me pranimin e vendit në NATO”, thuhet në deklaratën e senatorëve. Më tej, në deklaratë thuhet se SHBA është e interesuar për sukseset e Shqipërisë, teksa shton se të gjitha palët në vend duhet të punojnë bashkë për zgjedhje të drejta dhe legjitime. “Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të jemi të angazhuar për të parë në Shqipëri zgjedhje, të cilat të jenë të besueshme në sytë e popullit të saj dhe të partnerëve të saj evropianë. Si aleatë, ne jemi të interesuar thellësisht në sukseset e Shqipërisë. Në ditët e fundit para se shqiptarët të shkojnë drejt kutive të votimit, ne shpresojmë se të gjitha palët do të punojnë së bashku për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe legjitim”, thuhet në deklaratën e 6 senatorëve amerikanë me rastin e rezolutës së Senatit për zgjedhjet në Shqipëri. Rezoluta e senatit amerikan vjen vetëm një ditë pas deklaratës së Ambasadës amerikane në Tiranë, e cila bënte thirrje për zgjedhje paqësore në 28 qershor. Në një deklaratë për shtyp të zëdhënësit të ambasadës së SHBA-së, Biks Aliu, nxitet qeveria dhe aktorët politikë në vend, që të zhvillojnë zgjedhje me një klimë paqësore. “Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë, që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ambasadës amerikane. Në të njëjtën kohë zëdhënësi Aliu theksoi se Uashingtoni pret nga Tirana zyrtare zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. “Edhe një herë, shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet, që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, vijon më tej deklarata e zëdhënësit të Ambasadës. Thirrjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, vijnë në një moment kur në prag të zgjedhjeve janë shënuar një sërë incidentesh, që kanë arritur deri në humbjen e jetës. Rreth një javë e gjysmë më parë një militant i Partisë Demokratike humbi jetën pas një sherri me një militant të Partisë Socialiste. Ndërsa vetëm pak ditë më parë u vra kryetari i Partisë Demokristiane për degën e Malësisë së madhe dhe kreu i kësaj partie, e konsideroi atë një vrasje politike.
Deklarata e BE
Pak ditë më parë edhe Bashkimi Evropian bëri thirrje për zgjedhje paqësore në 28 qershor. “Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë në Shqipëri dhe i gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit me BE-në. BE-ja është duke vëzhguar nga afër procesin zgjedhor. Shpresojmë dhe është në interesin e Shqipërisë, që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe të vlerësohen në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e BE.