Korçë, masakron të shoqen me gurë, e braktis në kanal
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Masakron gruan me gurë pasi dalin nga banesa e hallës së saj. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në orën 19:30 në fshatin Podgorie të Korçës, kur bashkëshortët Dëfrim dhe Luljeta Tale nuk ishin më shumë se 100 metra larg shtëpisë. Mësohet se viktima ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, deri në çarje të kafkës dhe pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit (fshati Podgorie ndodhet më afër këtij qyteti), e kanë nisur me urgjencë me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mjekët bënë të ditur se gjendja e nënës së dy fëmijëve është tepër e rëndë dhe ende nuk mund të thuhet nëse ajo e ka kaluar rrezikun për jetën. Sipas policisë, 45-vjeçari ka dalë nga banesa e hallës së bashkëshortes së tij në mënyrë demonstrative, duke detyruar edhe gruan e tij ta ndiqte pas. Ende nuk është e qartë se çfarë kishte ndodhur aty, por sipas burimeve të policisë, dyshohet që Tale të ketë mbetur i pakënaqur nga ndonjë bisedë e 39-vjeçares në sy të tij tek halla e saj. Në sajë të hetimeve paraprake është konstatuar fakti se dy bashkëshortët kishin shkuar për të fjetur mbrëmë tek Sermie Rusi, ndërsa kishin lënë në fshatin e tyre, Taç të Kolonjës dy fëmijët e tyre, 17 dhe 12 vjeç. Por janë larguar më shpejt nga shtëpia ku kishin shkuar si bujtës. Sapo ka dalë nga banesa në fshatin Podgorie, agresori ka goditur disa herë me një gur të madh në kokë 39-vjeçaren. Pasi e ka goditur edhe në trup, viktima ka rënë në një kanal. Duke menduar se e shoqja kishte vdekur, Tale është larguar me shpejtësi, duke e lënë gruan e tij të përgjakur e masakruar në kanal. Banorë të fshatit dhe të afërmit e viktimës kanë shkuar në vend, por nuk e kanë trazuar gruan, pasi ajo nuk shfaqte asnjë shenjë jete. Duke menduar se kishte vdekur ata sinjalizuan policinë. Kjo e fundit mbërriti pas rreth 10 minutash dhe konstatoi se viktima ishte ende në jetë. Ata e çuan me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të rënda në trup e deri në çarjen e kafkës, mjekët e Pogradecit kërkuan një helikopter dhe e dërguan tek ushtaraku. Policia mori informacion nga banorët e fshatit për drejtimin që kishte marrë autori i këtij krimi. Ata e ndoqën dhe e kapën rreth 15 minuta para se ai të mbërrinte në rrugën nacionale.