PS: Qeveria të nxjerrë emrat që s’kanë aplikuar
PS i bën sërish thirrje qeverisë të bëjë publike listat e qytetarëve që kanë aplikuar dhe atyre që nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami tha dje në një konferencë për shtyp se në kuadër të transparencës së procesit, qeveria duhet të shpërndajë listat e përditësuara. “PS vlerëson shumë të rëndësishme për rritjen e besimit të publikut tek procesi zgjedhor, që tanimë kur ka përfunduar procesi i aplikimit për votuesit pa pasaportë të bëhen transparente listat emërore të së gjithë aplikantëve, të së gjithë atyre që kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar”, tha dje Islami. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Brendshme. “Ditën e hënë, Ministria do të vërë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike listën emërore të personave që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik, listën emërore të personave që e kanë tërhequr letërnjoftimin elektronik, listën emërore të personave pa pasaportë, që nuk u paraqitën për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik”, tha zëdhënësi Konja.