Marrëzi e llogaritur?
Fatos Çoçoli
Po afrohet korriku dhe koha kur Qeveria e koalicionit PD-LSI duhet të mbajë një premtim solemn, rritjen vjetore të pagave dhe pensioneve. është ndoshta viti më pak i përshtatshëm për ta bërë këtë. Ekonominë shqiptare e kërcënon vuajtja e pasojave të një krize të thellë të fqinjit, Greqisë, partneres së saj të dytë në tregti dhe investime të huaja në Shqipëri. Edhe Qeveri si Franca, apo Italia e Berluskonit, partneri ynë i parë tregtar, po përgatiten të shkurtojnë shumë shpenzime, për të përmbajtur deficitin e Buxhetit të tyre të Shtetit. Askush nuk flet, madje as nuk guxon ta mendojë, që mund të rrisë rrogat dhe pensionet e buxhetorëve të vet. Por Qeveria jonë po. Kundër çdo parashikimi dhe sugjerimi për të treguar maturi dhe vetëpërmbajtje. Edhe vitin e kaluar asnjë shtet i Europës nuk guxoi të rrisë pagat dhe pensionet shtetërore. Ishte kulmi i krizës, i cunamit financiar. Bankat e shteteve më të fuqishme të botës ndodheshin në prag të kolapsit dhe tharjes së parave kesh (likuiditeve) në duart e tyre. Qeveria jonë po, ajo guxoi. Guximi i 2009-ës mund të merrej edhe ethe zgjedhore, kënaqje me çdo kusht të 750 mijë punonjësve dhe pensionistëve buxhetorë, për t’u fituar votën, për të fituar pushtetin, derisa rritja u bë në maj. Këtë vit pushteti është fituar, përse sërish provohet me rritje rrogash e pensionesh? Sërish asnjë Qeveri tjetër në Europë nuk po guxon. Në të kundërt, Greqia, por edhe Spanja e ndoshta Portugalia po provojnë të ulin diçka nga rrogat dhe pensionet publike. Përse Qeveria jonë po guxon prapë? Obsesion, mendim fiks i premtimit të bërë, i cili duhet mbajtur me çdo kusht, edhe nëse financat e shtetit tronditen? Duhet thënë se asnjë tregues i fortë që justifikon nxitësin e rrogave dhe pensioneve të shtuara nuk po verifikohet. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë më poshtë se plani, të ardhurat nga privatizimet dhe koncesionet ende nuk kanë dalë mbi ujë... Përse duhet patjetër të rriten rrogat dhe pensionet? Një teori që qarkullon dendur vitet e fundit dhe që është përqafuar së pari nga Ben Bernanke, Guvernatori i Rezervës Federale (bankës qendrore) Amerikane është se kriza e sotme ose pasojat e saj kalojnë më lehtë me rritjen e konsumit. Sigurisht që Shqipëria nuk është Amerikë. Por sërish edhe tek ne ka ekonomi të tregut të lirë dhe nxitja e kërkesës konsumatore mund ta rinisë ekonominë. Nëse nuk do të kishte qenë kantieri i madh i rrugës Durrës-Kukës, që në tre vjet gëlltiti rreth 800 milionë euro, tani ndoshta nuk do të ishim këtu për të folur për rritje ekonomike të vendit në nivelin 3.5 për qind vitin e kaluar. Sigurisht, në kushtet kur të ardhurat buxhetore janë modeste, për shkak të një kredie bankare shumë të kujdesshme e të përmbajtur këtë vit, për shkak, madje, edhe të klimës së tendosur politike që e pengon biznesin të riskojë e të zgjerojë aktivitetin kur dy palët kryesore politike nxjerrin shkëndija, të shtosh rroga e pensione do të thotë të rrezikosh shumë. Do të thotë të ecësh në fije të perit. Praktikisht ke një drejtpeshim shumë delikat. A ia vlen të rrezikosh kaq shumë për një premtim që duhet mbajtur? Mund të sjellësh një mijë justifikime për të thënë se këtë vit u detyrove të mos i rritje pagat e pensionet sa kishe planifikuar, por thjesht i indeksove. Por gurin me pe në lumë, sikurse e përmend Jozef Stiglic, profesori nobelist për ekonominë, kur studion veprimet, ndërhyrjet qeveritare për të nxitur kërkesën konsumatore në ekonomi, një Qeveri edhe mund ta hedhë, ta provojë. Shumë rrallë, por kur e sheh se ekonomia fiton vërtet nxitjen e duhur për të rigjetur shtegun e zhvillimit të qëndrueshëm. Ndoshta ky vit dhe kjo rritje marsiane rrogash e pensionesh, kur të gjitha shtetet e qeveritë rrotull shikojnë si të ulin shpenzimet e të kursejnë, mund të jetë ajo marrëzi e llogaritur për të cilën flet Stiglic dhe që mund ta ndihë ekonominë shqiptare shumë më tepër se sa rrezikon ta turbullojë e t’i prishë ekuilibra.