Meksikë, bie në pranga themeluesi i Los Zetas

Marina meksikane përmes një operacioni antidrogë ka vënë në pranga një nga themeluesit e kartelit famëkeq të narkotrafikut, Los Zetas, që “bën ligj” në 10 nga 32 shtetet e Meksikës.
Lajmi është bërë i ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave bëhet fjalë për Raul Lucio Hernandez Lechuga, i cili është një nga 37 kriminelët më të rrezikshëm të Meksikës.
Sipas burimeve, Lechuga, i njohur ndryshe me pseudonimet “Fatlumi” ose “Z-16”, u arrestua në qytetin e Kordobës, pas disa informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga forcat e sigurisë.
Ndërkohë, personi më i kërkuar në shtetin latin, që konsiderohet si mbreti i narkotrafikut, është Joaquin “El Chapo” Guzman, lider i kartelit famëkeq të Sinaloas.
Guzman, i cili është i pari në listën e bosëve më të rrezikshëm të mafias në botë, mori një goditje të rëndë muajin e kaluar, pasi forcat e policisë i sekuestruan plot 15 milionë dollarë, fryt i trafiqeve të drogës.