Rusi, Putin 10 llogari bankare

Komisioni elektoral në Rusi ka publikuar pasuritë e kryeministrit Vladimir Putin, në cilësinë e kandidatit në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Putin, sipas së përditshmes zyrtare “Rossiskaia Gazeta”, ka 10 llogari bankare me 5.7 milionë rubli, ose 138 mijë euro. Në katër vitet e fundit ai ka fituar 17.4 milionë rubli, ose 421 mijë euro.
Arkëtimet e tij vijnë nga rroga, interesat bankare dhe një pension ushtarak, ndërkohë që zotëron edhe 230 aksione të Bankës së Shën Pietërburgut.
Ndërsa bashkëshortja e tij, sipas së përditshmes ruse, ka 4 llogari bankare me 8.3 milionë rubli ose 201 mijë euro në dispozicion.
Zgjedhjet presidenciale janë caktuar të mbahen në mars, c`ka i lë shefit të qeverisë ruse më pak se tre muaj kohë për të hartuar një strategji të re, pas akuzave për manipulime në zgjedhjet parlamentare.
Në garën për Kremlinin, kryetari i Partisë Rusia e Bashkuar do të ketë përballë oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar “një konkurrent të fortë”.