E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meloni vizitë në SHBA/ Bisedë me Biden edhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden. 

Dy liderët diskutuan ndër të tjera edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor. “Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të kamotshme për integrimin euroatlantik të rajonit”, u tha në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Në deklaratë u tha po ashtu se dy vendet do të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin, pa specifikuar se për çfarë përshkallëzimi bëhej fjalë.

Situata në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ka qenë e tensionuar që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut hynë në objektet komunale.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga qeveria në Kosovë që të mbajë zgjedhje të reja në këto komuna. Por, tensione poashtu ka pasur edhe në Bosnjë-Hercegovinë ku presidenti i entitetit të Republikës Sërbska, Millorad Dodik kërkon të marrë më shumë kompetenca në kundërshti me marrëveshjen e Dejtonit.

Gazetar: Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›