Memelli nuk ndalet, arrin në 18 gola
Migen Memelli vijon galopimin e tij sa i takon golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore. Jo vetëm që golat e tij i kanë dhënë fitoren Flamurtarit, por ai ka thelluar edhe diferencën e golave me rivalët e tjerë që e ndjekin. Kështu, Memelli është ngjitur në kuotën e 18 golave, kur duhen edhe 5 javë deri në mbyllje të kampionatit. Goleadori i ekipit kuqezi ka thelluar diferencën me Pejiçin, Popoviçin dhe partnerin e tij në sulmin vlonjat, Muzakën, të cilët kanë nga 11 gola. Asnjëri nga të lartpërmendurit, dje nuk ka arritur dot të shënojë dhe kështu diferenca, nga 5, shkon në 7 gola, dhe duket se bomberi i Kategorisë Superiore për këtë sezon do të jetë Migen Memelli, i cili "Këpucën e artë" e ka fituar edhe kur ka luajtur me Tiranën. Vetë Memelli ka deklaruar kohë më parë se nuk është një qëllim më vete, por kur sheh që Flamurtari ngjitet në vendin e dytë, një pozicion që nuk e arrinte që në fillim të sezonit, shpallja edhe si golashënuesi më i mirë i kampionatit është një kënaqësi më shumë.
(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)
(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)