E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli, sot në miqësore, me sytë nga Kombëtarja

Sulmuesi shqiptar i skuadrës norvegjeze të Bran Bergenit, Migen Memelli, mund të luajë sot pasdite, në ndeshjen miqësore të klubit të tij kundër skuadrës së kategorisë së dytë, Lov Ham, përpara se të bëhet gati të niset në fundjavë për në Shqipëri, për t'iu bashkuar grupit të lojtarëve të thirrur nga trajneri i Kombëtares kuqezi, Oto Baric, për miqësoren e 7 shkurtit me Maqedoninë. Një gjë të tillë e ka pohuar dje për Albania-Sport.com vetë shtatlarti shqiptar, i cili ka sqaruar se miqësorja e sotme, midis Bran Bergenit dhe Lov Hamit, do të luhet në ora 18:00 (me orën lokale), në një kompleks fushash të mbyllura.
"Gjithsesi, - ka vijuar më tej Memelli, duke folur për Albania-Sport.com, - nuk e di nëse do të luaj që nga fillimi në miqësoren e së premtes, apo do të aktivizohem vetëm për një pjesë të saj, pasi kam patur një kontraktim të vogël muskular dhe nuk dua të rrezikoj, sepse po mendoj për Kombëtaren." Sot paradite, sulmuesi korcar do t'i bëjë një vizitë masazhatorit dhe terapistit të klubit, për të marrë prej tyre "dritën jeshile" për aktivizimin në miqësoren e pasdites. "Ekziston mundësia që unë të luaj, për një pjesë të ndeshjes, nëse ata më thonë që kjo nuk më rrezikon për në Kombëtare" – ka shtuar Memelli.
I pyetur nëse ai do të jetë në formacion për kuqezinjtë në ndeshjen kundër Maqedonisë, që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës, Memelli tregohet "diplomatik", duke dhënë atë përgjigjen e shumëpërdorur: "Nuk e di, pasi këtë punë e di trajneri". Sulmuesi i Branit sqaron gjithashtu se trajneri Baric nuk i ka thënë ende nëse do ta apo sa dhe kur do ta aktivizojë atë në miqësore me fqinjët lindorë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›