Lorik Cana, ndër 3 më të mirët e Marsejës ndaj Lionit

Albania-Sport - Mesfushori luftarak shqiptar ka spikatur me lojën e tij në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Francës, kundër Lionit, duke u vlerësuar me notën 7, e cila iu dha vetëm shqiptarit dhe Teje Tajvosë, ndërsa lojtari më i mirë ishte portieri i skuadrën marsejeze, Sedrik Karraso, i cili u vlerësua me notën 7.5. Ndërkaq, lojtarë të tjerë të rëndësishëm të Olimpikut lanë për të dëshiruar, pasi mesfushori i përfaqësueses franceze, Frank Riberi, u vlerësua me notën 5, ndërsa akoma më negativ ishte vlerësimi i futbollistit tjetër të përfaqësueses franceze, sulmuesit Zhibril Sise, i cili mori notën 4.
Në vlerësimin me notën 7 të mesfushorit të Kombëtares kuqezi, i cili të mërkurën do të jetë skuadrën e Shqipërisë për miqësoren e 7 shkurtit kundër Maqedonisë, specialistët theksuan se "shqiptari erdhi duke e rritur nivelin e lojës së tij gjatë 60 minutave të para të ndeshjes, me një paraqitje të palëkundur në duelin e mesfushën me dyshen Zhuninjo-Tiago të Lionit. Pas daljes nga loja të Olembesë, me karton të kuq, mesfushori i fuqishëm e ngriti një nivel më lart lojën e tij dhe ishte i pranishëm në cdo cep të fushës."
Në vazhdim, vlerësimi i specialistëve, shtonte: "Për këtë arsye, atij iu desh të shkaktonte edhe disa ndërhyrje të fuqishme, që cuan edhe në ndëshkimin me karton të verdhë, por, Cana ishte padyshim një nga lojtarët më të mirë në fushë për Olimpikun e Marsejës." Mesfushori i Kombëtares shqiptare është aktivizuar, si gjithmonë, për 90 minuta me skuadrën e tij dhe është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 60-të të takimit, që ka qenë shumë i tensionuar. Si pasojë e kësaj, katër futbollistë, dy për secilën skuadër kanë dalë nga loja me karton të kuq. Lioni e ka filluar mirë ndeshjen, duke shënuar në minutën e 18-të, me anë të brazilianitr Kris, por, në tre minutat e fundit, Marseja ka barazuar dhe ka përmbysur rezultatin me golat e Pazhisë dhe Niangut.