Memelli, sot vendoset: Në Rusi apo te Tirana?
Spartak Nalçik pritet të japë vendimin rreth testimit
Sulmuesi bardheblu, Migen Memelli, po vazhdon provën prej disa ditësh te skuadra ruse, Spartak Nalçik. Menjëherë pasi vuri re se e ardhmja e tij te Tirana kishte pësuar një krisje, por edhe i shtyrë nga dëshira për t’iu rikthyer aventurave në kampionatet e huaja, ai nuk ka humbur kohë, por është vënë në kërkim të skuadrës së re. Pas ofertave të shumta nga disa klube të huaja, lojtari u paraqit për testim në kampionatin rus, me shumë gjasë te Spartak Nalçik. Burime nga skuadra kampione, që ndodhet në Turqi shprehen se tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës ruse për të ardhmen e tij. Sikurse janë gjasat, shanset që ai të ketë kaluar me sukses testimin në skuadrën ruse janë të mëdha. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe një lëvizje e tillë e Memellit duket të jetë ndikuar edhe nga afrimi i Sebino Plakut te Tirana, gjë që edhe ishte parashikuar.
Në të vërtetë, bomberi i dha shenjat e largimit ditë më parë në një dalje për mediat, duke thënë se ishte në tratativa me disa skuadra dhe se gjasat ishin të mëdha që ai të luante jashtë Shqipërisë për pjesën tjetër të sezonit. U publikuan në media disa pista për lojtarin si Kina, Izraeli apo ndonjë tjetër dhe së fundi Memelli arrin të konkretizojë hapat e tij në kërkim të një skuadre të huaj, duke shkuar në provë në kampionatin rus, ku synon të nënshkruajë një kontratë me klubin e Spartak Nalçik. Megjithatë shumë e interesuar për vendimin që do të merret nga skuadra ruse është edhe Tirana, e cila edhe pse ka afruar Sebino Plakun, tashmë dëshiron të jetë e qartë para se të nisë ndërtimin e një projekti afatgjatë për pjesën e mbetur të sezonit.
Nëse Memelli do të mbetet bardheblu, atëherë trajneri Alban Tafaj do të jetë më i qetë dhe do të kthejë sytë e marrjes së ndonjë përforcimi në repartet e tjera, ku bardheblutë kanë shfaqur probleme në gjysmën e parë të sezonit. Ndërkohë që skuadra e Tiranës ka 9 ditë që stërvitet në kampingun e kompleksit “Limak Limra” në Kemer. Kampionët në fuqi të drejtuar nga Tafaj kanë marrë “dozat” e duhura të ngarkesës dhe me sa duket, në gjysmën e mbetur të kampionatit do të shohim në fushë një Tiranë akoma më të përgatitur fizikisht.
Kjo nuk është vënë re dhe skuadra ka lënë shumë për të dëshiruar gjatë fillimit të këtij sezoni, ndoshta edhe nga moszhvillimi i një faze përgatitore të mirëfilltë në Ohër verën e kaluar. Qysh në ditët e para, kur nisi përgatitorja e Kemerit, trajneri Tafaj dhe ndihmësi i tij në pankinën bardheblu, Dede, filluan të rrisin ngarkesat në stërvitje, sidomos për sa i përket përgatitjes fizike të lojtarëve që kanë në dispozicion. Edhe vetë futbollistët deklarojnë se kanë mbetur të kënaqur nga kjo fazë dhe ecuria e përgatitjeve deri më tani.
#