Dule: Regjistrimi? Në bashkëpunim me ne dhe monitorim nga KE-ja
Qëndrimi
Kreu i PBDNJ-së e ka quajtur një vendim në drejtimin e duhur, pavarësisht se vjen me shumë vite vonesë
Prerja e pites, një ceremoni tashmë e praktikuar prej kohësh në çdo fillimviti nga krerë të minoritetit etnik grek në Jug të vendit, ka sjellë sërish në fundjavë Vasil Bollanon dhe Vangjel Dulen në Sarandë. Thika mbi tortën e vitit 2010 është e shoqëruar me urimin për një vit bashkimi rreth “Omonia”-s dhe PBDNJ, si parti që shpreh dhe mbron interesat e minoritetit grek në fushën politike. Urimi më i mirë ka qenë thirrja për të qenë të bashkuar dhe të ndryshueshëm, në kushtet kur shumë gjëra kanë ndryshuar. “Ne duhet të ndryshojmë vazhdimisht, pasi edhe kushtet kanë ndryshuar dhe ne vetëm na mbetet të përshtatemi me zhvillimet e sotme”, u tha të pranishmëve Vasil Bollano, në cilësinë e numrit një të organizatës politike “Omonia”.
Për ata që janë veçuar dhe kanë mbjellë përçarjen në këtë organizatë, Bollano ka qenë qortues, me argumentin se probleme ka e do të ketë, por zgjidhja e tyre është brenda e jo jashtë. “Kjo që ka ndodhur, u shpreh figurshëm ai, është njësoj si të kërkosh të martohesh me një grua tjetër, që të zgjidhësh problemet e shtëpisë sonë të përbashkët”. Si në vëmendjen e Bollanos edhe të kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, ka qenë tema e regjistrimit të ri të popullsisë, që përfshin kombësinë dhe fenë. Në vlerësimin e Bollanos, ky regjistrim ka qenë “një nga opsionet tona, e formuluar më 1990 dhe e kërkuar më 2002, kërkesë që do të realizohet më 2011, pas 9 vjetësh”. Ndërkohë, Dule e ka quajtur një vendim në drejtimin e duhur, “pavarësisht se vjen me shumë vite vonesë”. Ai tha për “Shqip” se PBDNJ e ka pasur këtë një kërkesë të përsëritur në shumë vite. Sipas Dules, është kërkesë e shtetit të së drejtës për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë edhe me elementët e kombësisë, të përkatësisë fetare dhe gjuhës amtare.
Ai theksoi se çdo shoqëri moderne dhe shtet modern e ka të nevojshme këtë, pasi është instrument për hartimin e politikave adekuate. “Por fatkeqësisht, shtoi Dule, do të doja të konstatoja deklarime jo fort pozitive për një zhvillim të tillë, që nuk kanë qenë të pakta gjatë këtyre viteve”. Ai ka apeluar për të qenë të ndërgjegjshëm se duhet bërë një regjistrim objektiv, ndërkohë që ka sugjeruar që ai “të bëhet në bashkëpunim në veçanti me përfaqësuesit e minoriteteve etnike dhe të tjera. Mbi të gjitha, ai duhet të jetë një proces i pakontestueshëm”. Për të qenë i tillë, ai ka kërkuar që “qysh në hapat e parë të tij, domethënë që tani, të jetë i monitoruar nga specialistë të Këshillit të Europës dhe të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me ta”.
#