E Diel, 1 Nëntor 2026

Memeti: Synojmë marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me të 27 vendet e BE-së

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Shqipëria synon të përmbushë objektivin për të pasur marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, në kuadër të përafrimit të legjislacionit dhe praktikave fiskale me standardet europiane.

Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti deklaroi se marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë janë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, krijimin e sigurisë për investitorët dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, Memeti theksoi se politikat fiskale kanë një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve dhe avancimin e procesit të integrimit europian.

“Rëndësia e këtij projektligji kalon përtej teknikës tatimore. Ai lidhet me mënyrën se si Shqipëria mbron interesat e saj fiskale, krijon siguri për investitorët dhe zbaton standardet më të avancuara ndërkombëtare në luftën kundër shmangies tatimore”, u shpreh Memeti.

Ai bëri të ditur se Shqipëria ka aktualisht në fuqi 46 marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, nga të cilat 23 janë me vende të Bashkimit Europian. Sipas Memetit, me përparimin e procesit të integrimit europian, Shqipëria synon të plotësojë rrjetin e marrëveshjeve me vendet e BE-së. Në këtë kuadër, marrëveshja me Lituaninë përbën marrëveshjen e 24-t me një vend anëtar të Unionit, duke e afruar vendin me përmbushjen e këtij objektivi me të 27 vendet e BE-së.

Zëvendësministri theksoi se marrëveshjet krijojnë rregulla më të qarta për trajtimin tatimor të të ardhurave nga biznesi, dividentët, interesat, fitimet kapitale, punësimi dhe pensionet.

Këto dispozita synojnë të shmangin tatimin e dyfishtë për bizneset dhe individët që zhvillojnë veprimtari ekonomike ose përfitojnë të ardhura në të dy vendet, duke lehtësuar investimet ndërkufitare dhe duke rritur sigurinë për sipërmarrjet.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›