E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjatet afati për mbledhjen e nënshkrimeve për nismën e ndryshimit të Kodit Zgjedhor

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë seancës së sotme, vendosi  zgjatjen e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve mbështetëse për nismën ligjvënëse të zgjedhësve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së nismëtarëve për zgjatjen e afatit deri më 15 dhjetor.

Nisma synon të sigurojë mbështetjen e nevojshme qytetare për paraqitjen e propozimeve për ndryshime në Kodin Zgjedhor, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin shqiptar.

Gjithashtu, gjatë seancës së sotme publike, u plotësuan vakancat në tre këshilla bashkiakë.

Në Këshillin Bashkiak Gjirokastër, u emërua Nesilda Batha, kandidate e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në Këshillin Bashkiak Korçë, u emërua Sara Dinellari, kandidate e Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare, ndërsa në Këshillin Bashkiak Lushnjë, vakanca u plotësua me Klajda Meçon, kandidate e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›