E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memia: Legalizuam 70 përqind të ndërtimeve pa leje

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Me-mia, deklaroi dje se kjo agjenci ka shpërndarë deri tani 150 mijë leje legalizimesh.

Sipas kreut të ALUIZNI-t, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur tashmë procedurën për marrjen e tapisë në hipotekë. Memia shtoi se në total procesi ka përfunduar në 70 për qind të tij me dhënien e lejeve të legalizimeve dhe pas këtij procesi do të nisë faza e urbanizmit të tyre. "Ne tashmë kemi garantuar suksesin e reformës për futjen e këtyre pasurive në treg dhe do të gjenerojë pasurinë e qytetarëve. Tashmë do të kalojmë në etapën e hartimit të projektimit të zhvillimit urban", - tha Memia. Bëhet e ditur se në total janë 270 mijë ndërtime informale të vetëdeklaruara nga qytetarët. Deri tani, 235 mijë prej tyre janë kualifikuar nga ALUIZNI dhe mijëra të tjerë janë azhurnuar. Sipas kreut të ALUIZNI-t, Memia, deri tani janë përpunuar dosjet e mëse 180 mijë pasurive. Në lidhje me fazën e urbanizmit të këtyre zonave, ai tha se do të jetë e domosdoshme bashkëpunimi me pushtetin lokal. Nga përllogaritjet e bëra deri tani nga ALUIZNI, vetëm kostoja e ndërtimit në këto territore kap shifrën e mbi 10 miliardë eurove. Bëhet e ditur se deri tani nga ky proces janë arkëtuar rreth 7 miliardë lekë të reja, nga të cilat 1.9 miliardë shkojnë në fondin e kompensimit të ish- pronarëve dhe pjesa tjetër i delegohet njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat do të përdoren për realizimin e studimeve urbanistike në këto zona. Aktualisht, Agjencia e Legalizimeve po merret me legalizimin e ndërtimeve në zonën bregdetare. ALUIZNI ka bërë me dije se pas 10 gushtit të gjithë subjektet e interesuara që përfitojnë nga ligji, duhet të paraqesin pranë kësaj agjencie dokumentacionin e kërkuar. "ALUIZNI, njofton personat e interesuar se prej datës 10 gusht 2010 nis procedura e plotësimit të kërkesës, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara, në zonat e stimuluara, me përparësi turizmin, në përputhje me ligjin nr.10186, datë 5.11.2009, "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin". Kërkesat paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës", - është bërë e ditur nga ALUIZNI. Më tej, bëhet e ditur se edhe subjektet kanë të drejtë të bëjnë kërkesën. Sipas ligjit kanë të drejtë të paraqesin kërkesë subjektet e interesuara, që janë persona fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009 "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin". Njëkohësisht, mund të aplikojnë edhe personat e stimuluar, të cilët janë persona fizikë apo juridikë, që kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin (autoritetin shtetëror), për një veprimtari të stimuluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›