Merkel: Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se mirëpret zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut me dy vende të reja si Shqipëria dhe Kroacia. Në një fjalim kryesor mbajtur përpara parlamentit të Gjermanisë, Merkel zgjodhi një citat të kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, për të nxjerrë në pah rëndësinë historike të samitit të ardhshëm të NATO-s, më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës, ku sipas saj në këto pak fjalë bëhet i qartë dimensioni historik i samitit me rastin e 60- vjetorit të krijimit të NATO-së.
"Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t'i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore", citoi Merkel nga një intervistë që Sali Berisha ka dhënë disa ditë më parë për një gazetë gjermane. Ajo përshëndeti shprehimisht anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë, duke u shprehur optimiste se grindja aktuale mes Sllovenisë dhe Kroacisë për çështjen e kufirit, nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kroacisë. Merkel tha, se shpreson që edhe grindja mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen emrit, të mënjanohet. Merkel, u shpreh për një strategjie të re të NATO-s, duke shpjeguar edhe një herë konceptin e përfaqësuar nga shumica e partive në Bundestag, atë të "sigurisë së ndërthurur", një kombinim mes ndërhyrjes ushtarake dhe rindërtimit të strukturave civile. "Ky koncept strategjik do të përcaktojë shumë qartë kufijtë e Aleancës. Unë nuk shoh një NATO globale. Aleanca do të vazhdojë të përqendrohet tek siguria kolektive e partnerëve të Atlantikut Verior, ajo do të veprojë edhe jashtë territorit të saj, por kjo nuk do të thotë se në të do të anëtarësohen shtete nga e gjithë bota," theksoi Merkel. Ndër të tjera kancelarja Merkel ka deklaruar se Aleanca e Atlantikut të Veriut, si asnjë organizatë tjetër, ka mbrojtur paqen dhe lirinë gjatë këtyre gjashtëdhjetë vjetëve, duke shtuar se Gjermania i është mirënjohëse aleancës dhe aleatëve të saj. Citatit të Berishës iu kthye edhe një herë Walter Kolbow, nënkryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve. Por me vërejtjen, "Është e vërtetë, që njëra nga përparësitë e NATO-s ishte që i ktheu armiqtë e dikurshëm në miq, por në këtë Aleancë ne duhet të mbetemi miq. E për këtë duhet të japë secili kontributin e tij dhe të pranojë disa fakte," tha socialdemokrati, duke pasur parasysh veton e Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.