E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorandum Mirëkuptimi për gazsjellësin TAP

U nënshkrua në New York, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, ku të tre vendet kanë shprehur synimin e tyre për të bashkëpunuar në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), që do t'i lidhë ato, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit drejt Perëndimit. 

Memorandumi u nënshkrua nga tre Ministrat e Jashtëm, ministri ynë Edmond Panariti, ai grek Dimitris Avramopulos dhe ministri italian, Giulio Terzi. Dokumenti i nënshkruar është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohej nga analizat teknike për krijimin e kornizës së infrastrukturës së re. Më vonë, pasi negociatat të hyjnë në një fazë tjetër, do të nënshkruhet marrëveshja për gazsjellësin. 

Për Athinën kjo marrëveshje është e një rëndësie të madhe, sepse sipas mediave në Greqi, “ajo është në thelb një "levë" presioni, që qeveria greke ushtron mbi Tiranën zyrtare, për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufijve Detare dhe zonave ekonomike ekskluzive të dy vendeve, e nënshkruar në vitin 2009, por e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pas presionit të Partisë Socialiste”. 

Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. 
Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. 
Qeveria shqiptare parashikon që gazjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliard eurosh.
Aksionerët e TAP janë EGL-zvicerane me 42,5%, Statoil-norvegjeze me 42,5% dhe E.ON Rurgas-gjermane me%. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, "Enel". 
Aktualisht, konsorciumi "Deniz Shah" konsideron dy opsione për të ofruar gazin azer në Evropë; TAP dhe Nabucco, por vendimi përfundimtar mbi tubacionin, do të merret në vitin 2013. 

Deklaratat e ministrave pas nënshkrimit 

Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë OKB-së në Nju Jork, ministrat e jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e tyre.

Ministri i jashtëm shqiptar Edmond Panariti, tha se kalimi i gazjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune. 
“Fakti që ky tubacion do të kalojë në territorin shqiptar nënkupton që do të zhvillohet një infrastrukturë mbështetëse, gjë që do të thotë se firma të huaja do të angazhohen me investime. E gjitha kjo nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës. Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë”. Panariti tha se Gazsjellësi Trans Adriatik ka një numër avantazhesh në krahasim me projektin Nabucco West. “Projekti TAP ka avantazhe përsa i përket fizibilitetit ekonomik, atij financiar dhe karakteristikave teknike, krahasuar me projektin paralel Nabucco West. Kështu që unë shpresoj që në fund të dhjetorit apo në fillim të vitit tjetër, konsorciumi të përzgjedhë projektin TAP, si projekt fitues”. 

Ministri i jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamjen e sigurisë energjitike.
“Për vendin tim, kjo është pjesë e një tabloje më të gjerë të sigurimit energjitik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”.

Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij.
“Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›