Memorandum bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri
PRISHTINE- Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje në kuadër të vizitës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama në Kosovë.
Sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë, marrëveshja parashikon bashkëpunimin midis dy shoqatave për rritjen e performancës së prokurorëve të të dy vendeve, në nivel profesional dhe në ruajtjen e pavarësisë së tyre, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës.
Gjithashtu, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, angazhohet të ndihmojë në anëtarësimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës në Shoqatën Ndërkombëtare të Prokurorëve.
Memorandumi i Bashkëpunimit midis dy shoqatave u nënshkrua nga, Shkëlqim Hajdari, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve të Shqipërisë, dhe nga, Drita Hajdari, kryetare e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.
Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama ka nisur sot nje vizite dy ditore në Republikën e Kosovës.
Kryeprokurorja shqiptare shkon ne Prishtine me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit, njëherësh kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi.
Gjatë kësaj vizite, sipas axhenses Rama do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe udhëheqësit më të lartë të strukturave shtetërore në fushën e sundimit të ligjit.
