E Diel, 1 Nëntor 2026

Memorandum mirëkuptimi midis Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Kombëtar të Arteve në Romë


TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Italisë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Galerisë Kombëtare të Arteve dhe MAXXI – Muzeut Kombëtar të Arteve të Shekullit XXI në Romë.

Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në kuadër të mbledhjes së parë mes dy qeverive Shqipëri-Itali.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja theksoi se ky bashkëpunim i rëndësishëm do të shoqërojë procesin e rihapjes së Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë vitin e ardhshëm, duke forcuar misionin e saj kulturor dhe ndërkombëtar.

“MAXXI do të jetë një partner strategjik, që do të kontribuojë në modernizimin institucional dhe menaxherial, në formimin e profesionistëve të muzeve, si dhe në zhvillimin e programeve të përbashkëta kulturore dhe kërkimore”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Projekti trevjeçar (2025–2028) është pjesë e vizionit të përbashkët për ta kthyer kulturën në urën më të fortë të dialogut, zhvillimit dhe miqësisë shqiptaro-italiane”, përfundoi ministri.

Sot në Romë u zhvillua samiti i parë ndërqeveritar Shqipëri-Itali në kuadër të partneritetit strategjik midis dy vendeve, ku u nënshkruan edhe 15 marrëveshje dhe memorandume.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›