Pernaska: Protestat e Ramës, lot krokodili
Deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Pernaska, i ka cilësuar protestat e paralajmëruara të opozitës si lot krokodili të kreut të saj, Edi Rama. Sipas Pernaskës, është për të ardhur keq që bosët e mafies protestojnë kundër varfërisë. “Dje bllokmenët e rinj, Edvin Kristaq Rama, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Bilbil Klosi i ri, Beqja i ri, njoftuan shqiptarët se do nisnin protestat e tyre për luftën kundër varfërisë nëpër Shqipëri. Është e trishtë të shohësh se ata derdhin sot lot krokodili për të varfrit, ndërkohë që vetë kanë marrë 70% të lejeve të ndërtimit në Tiranë, kanë përvetësuar mbi 500.000 metër katrorë sipërfaqe mbi troje publike dhe troje të tjera të grabitura tek privatët, tek pronarët, tek vendalit, kanë zhvatur zemrën e Tiranës, kanë ndërtuar pallate mbi rrugët në qendër të saj”, - deklaroi Pernaska. Ajo tha më tej se mazhoranca konsideron luftën kundër varfërisë përparësinë e saj më madhore, por njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë se ata që ftojnë sot për protestë kundër varfërisë janë makutërit dhe bosët e mafies që kanë përvetësuar qindra-miliarda euro troje dhe pasuri të tjera publike, duke shfrytëzuar pushtetin e Edvin Ramës në kryeqytetin e vendit, në qytetin ku ne jetojmë. “Por e vërteta, të cilën sot e prek çdo banor, çdo qytetar i Tiranës, qëndron krejt ndryshe. Bllokmenët e rinj dhe grupi punist në krye të Partisë Socialiste urren të varfrit siç urren dhe vullnetin dhe votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, siç nuk pranon parimet, normat, themelin e demokracisë, siç nuk pranon shtetin ligjor, siç nuk pranon parlamentarizmin, siç nuk pranon vullnetin e sovranit që më 28 qershor vendosi për ata të qëndrojnë në opozitë, vendosi vazhdimësinë e integrimit dhe evropianizimit të Shqipërisë”, - shtoi Lajla Pernaska, deputete e PD-së.