Menaxheri: Riberi te Juve, përse jo
Menaxheri i Frank Riberi pohoi se ëndrra e Juventusit për të afruar klientin e tij nuk është e pamundur. Bardhezinjtë kanë filluar të planifikojnë merkaton e sezonit të ardhshëm, ku përveç Kasanos dhe Diegos, në listën e dëshirave figuron edhe ylli francez. Një objektiv i vështirë, sepse Bajerni i Mynihut do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur 25-vjeçarin. "Juventusi i sotëm nuk ka asgjë më pak se skuadra e periudhës kur me bardhezinjtë luante Zinedin Zidan", shpjegoi menaxheri i Riberisë, Alen Miljaço, që në të kaluarën ka mbrojtur edhe interesat e "Zizou"-së. "Klubin e ‘kryqëzuan‘, e dërguan në ‘ferr‘ dhe nuk është rastësi që ata u rikthyen sërish si pretendentë. Mendoj se për këtë duhen përgëzuar drejtuesit aktualë. Juventusi vazhdon të jetë një prej skuadra më të rëndësishme në Evropë". Sipas një sondazhi të organizuar nga gazeta torineze, "Tuttosport", Riberi është përforcimi kryesor që tifozët juventinë kërkojnë për merkaton e verës. Rreth kësaj Miljaço tha: "Vërtet Frank ishte preferenca e parë? Tifozët e Juves duhet të jenë të qetë, ëndrra e tyre nuk është e pamundur. Nuk mund të them se kur do të realizohet, por ndoshta në të ardhmen Riberi mund të luajë me këtë fanellë".