Menaxheri i Karslruhes: “Kapllani do të bëhet një yll”

Po përjeton një vit të jashtëzakonshëm në planin personal. Tre gola në dy fitoret Luksemburgun 2-0 dhe 3-0, një në "Qemal Stafa" dhe dy në "Josy Barthel" të Luksemburgut; "Lojtari më i mirë i takimit" Luksemburg-Shqipëri i përzgjedhur nga siti zyrtar i UEFA-s; golashënuesi më i mirë i deritanishëm i Kombëtares shqiptare në fushatën kualifikuese Euro 2008 me 3 gola , kampion i Bundesliga 2 me Karlsruhen në Gjerman, golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit të tij me 17 gola dhe fitues i "Këpucës së argjendtë": ky është portreti i 24-vjecarit Edmond Kapllani, sulmuesit potent të përfaqësueses kuqezi, të cilit dje revista prestigjioze sportive gjermane "Kicker" i kushtoi një shkrim të posacëm.
Kontrata e re
"Të mërkurën në mengjes të gjithë lojtarët ishin në stërvitje, përfshirë edhe lojtarët e Kombëtares, Bradly Karnell (Afrika e Jugut), Tamas Hajnal (Hungari) dhe Edmond Kapllani (Shqipëri). Skuadra e Karlsruhes duket se është tashëm e kompletuar: 21 futbollistë profesionistë. Trajneri Edmund Beker vlerëson se ka një grup të mirë për të punuar, dhe se Kapllani i përket sërish Karlsruhes, pasi për golashënuesin shqiptar gjatë ditëve të para të merkatos klubi francez Racing Strasburg ngulmoi jo pak për ta bërë të vetin. "Por, - shkruan gazetari i Kicker, Uli Gerke, - 24-vjecari është i pjekur tashmë për të bërë hapin e duhur në karrierën e tij". "Unë besoj te vetja. Unë dëshiroj të luaj në Karlsruhen në Bundesligë", - citohet Kapllani nga Kicker. Për këtë shqiptari vendosi të hidhte poshtë ofertën joshëse të ardhur nga klubi i rëndësishëm i Ligës së Parë franceze dhe të jetë i gatshëm për nënshkrimin e një kontrate që e lidh me Karlsruhen deri në vitin 2010, marrëveshje e cila do të zyrtarizohet gjatë kësaj jave. "Klubi më sqaroi se isha i pashitshëm. Kjo ishte një provë besimi, të cilën unë dëshiroj t'ia shpërblej me gola", - deklaron Kapllani.
Rekomandimi i Brigelit
17 gola në sezonin e kaluar me Karslruhen në Bundesliga 2, janë të majftueshëm për të bindur këdo për aftësitë e një sulmuesi me vlera të spikatura, i ardhur në Gjermani në vitin 2004 me rekomandimin e ish-trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, gjermanit Hans Peter Brigel. Viti i parë i vështirë: probleme me gjuhën gjermane, ambientimin dhe kapjen e një vendi titullar (në 15 ndeshje vetëm një gol). Kapërcimi erdhi më pas kur Kapllani filloi të luante si titullar: 25 ndeshje, 6 gola, një mesatare që kishte filluar ta evidentonte si një sulmues me vlera të pritshme. "Edmond do të bëhet një lojtar i madh", - profetizoi Rold Dohmen, një ish-futbollist i njohur gjerman dhe nga viti 2002 menaxher i Karsruhes. Dohmen ka pasur gjithmonë besim te Kapllani, madje edhe atëherë kur futbollisti shqiptar përjetonte një periudhë krize. "Cdo trajner do të dëshironte ta largonte atë. Unë u kujdesa për të si për një bimë", - tregon Dohmen. Te Kapllani ekzistonte problemi i njohur i krenarisë së "Topcinjve", goli. "Edmond dëshironte të bënte gjithmonë hapin e tretë para të dytit. Unë i bëra të kuptueshme, se jo gjithmonë mund të harkonte topa në zonën e rreptësisë por se dhe mund të shënonte gola me kokë".
Aktor kryesor
Ndërkohë numri "9" i Karslruhes, tregon pjekuri pas cdo ndeshje, dhe kurba sheh vetëm rritje. Dhe kjo tregon gjithcka për një sulmues. Në ekipin Kombëtar shqiptar ai ka bërë tre gola në dy ndeshjet kualifilikuese për Euro 2008 kundër Luksemburgut, duke fituar një vend të sigurt titullari në formacionin bazë. Në sulmin e Karlsruhes është ai në sistemin e ri 4-3-2-1 aktori kryesor. "Një yll në rritje". Në javët e parafundit ai ishte dhe golashënuesi më i mirë i Karlsruhes, por në luftën për fitimin e "Këpucës së artë", ai u kalua nga shoku i tij i ekipit, Xhovani Federiko (19 gola). "Xhovani shënoi tri herë, dhe fitoi edhe trofeun. E rëndësishme, ishte që fakti që një lojtari i Karlsruhes ishte më i miri".
Dash Frashëri