E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çivu në Real për 18 milion euro


Reali i Madridit është një hap larg nga Kristian Civu. "Të bardhët" ofruan 18 milionë euro për mbrojtësin rumun dhe pritet të gjejnë edhe akordin me Romën. Drejtori sportiv madrilen, Mijatovic, është në Itali së bashku me ndërmjetësin Bronxeti duke dalë një hap para Interit dhe Barcelonës, që duken se e kanë humbur betejën për blerjen e mbrojtësit të Romës. "Asgjë e rëndësishme, e dini si shkon merkato, shumë takime dhe më pas nuk ndodh asgjë", - ishin fjalët e para të Pedja Mijatovic për telekamerat e "Sky Tg 24", të cilën gazzetta.it e cilëson një argument aspak bindës, madje një gënjeshtër. Malaziasi nuk ka dashur të japë asnjë adresë të tij, por Reali duket se është shumë pranë angazhimit të rumunit pasi ka ofruar më shumë para se oferta financiare e Interit dhe Barcelonës. "Kristian është një lojtar i zoti, interesohen shumë skuadra, të shohim se c'do të ndodhë, por ne nuk formuluam asnjë ofertë", - thotë ish-sulmuesi i Fiorentinës, por përshtypja e medias sportive më të rëndësishme italiane "La Gazzeta dello Sport", e konsideron një punë të kryer. Po Interi? I pyetur për të komentuar ofertën e Realit të Madridit për Civunë, presidenti zikaltër Morati ishte absolutisht i thatë. "Interi nuk mund të bëjë një ofertë të cmendur për Civunë, Interi nuk mund të bëjë asnjë ofertë të tillë për asnjë lojtar". Presidenti i Realit, Ramon Kalderon, dha konsideratat e tij për Civunë në radion spanjolle "Cadena Ser". "Civu është një qendërmbrojtës që më pëlqen, për më tepër që gjendet mirë edhe në krahun e majtë, ashtu si dhe në të djathtin, është një mbrojtës i kompletuar. Por për ta firmosur për ne, duhet të jetë Roma që ta shesë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›