E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e taksistit: Historia e tim shoqi dhe lidhja me çështjen “Trashani”

Bashkëshortja e taksistit të arrestuar, Valentina Mulaj, rrëfen itinerarin e Abedinit, natën e vrasjes së Aurora Trashanit, në shërbim të Romeo Vides, emigrantit të sapoardhur nga Gjermania. “Im shoq s’ka asnjë lidhje me vrasjen, është keqtrajtuar nga policia”

Intervistoi: Habjon Hasani

Vrasja e juristes Aurora Trashani dhe lidhjet me të dyshuarin kryesor, që jeton në Gjermani, mbajnë prej 2 javësh në burg taksistin Abedin Mulaj. Bashkëshortja e tij Valentina tregon në këtë intervistë për MAPO-n lidhjen e të shoqit me të akuzuarin Romeo Vidi, itinerarin e tij mbrëmjen 1 shkurtit dhe thirrjet e shpeshta në polici, fundi i të cilave ishte arrestimi i të shoqit. “Bashkëshorti im s’ka asnjë lidhje me vrasjen, e megjithatë është keqtrajtuar e është detyruar të firmosë një proces-verbal të rremë”, -akuzon Valentina Mulaj, duke hamendësuar se pas gjithë kësaj historie fshihet një skenar i qëllimshëm.

Zonja Mulaj, bashkëshorti juaj Abedin Mulaj është aktualisht nën arrest dhe nën hetim, si bashkëpunëtor në vrasjen e juristes Aurora Trashani. Ju vetë, sa jeni në dijeni të kësaj ngjarjeje, deri në momentin e arrestimit të bashkëshortit tuaj?

Ngjarja e vrasjes së juristes ka ndodhur në datën 1 shkurt, ndërsa arrestimi i bashkëshortit tim ka ndodhur më datën 21 shkurt. Nga data e vrasjes dhe deri në datën e arrestimit, bashkëshorti im është paraqitur gjithsej tri herë në polici. Pra, dhe dy herë të tjera pas ngjarjes, ku ka dhënë deklarime lidhur me dijeninë e tij mbi ngjarjen. Pas ngjarjes dhe pasi kishte shkuar herën e parë të jepte deklarime, unë e kam parë të shqetësuar dhe rrinte disi i menduar. E kam pyetur dhe më ka thënë se ishte thirrur në polici dhe se kishte dhënë deklarime lidhur me shoqërimin që i kishte bërë Romeo Vides, natën e 1 janarit. Më tha se policia i kishte bërë të ditur se ishte e interesuar në zbardhjen e detajuar të të gjithë itinerarit të lëvizjes së tyre dhe se ishte procedurë rutinë, por ishte shumë i shtangur nga fakti se policia po dyshonte se ai mund të ishte përdorur si transportues i një vrasësi.

Në ç’rrethana njihej me Romeo Viden bashkëshorti juaj?

Me sa më ka thënë, prej katër vitesh, Romeo Vide sa herë vinte në Shqipëri, pasi ai jeton në Gjermani me familjen, e kishte taksistin e vet Abedinin. Kur është kthyer herën e fundit nga Gjermania, ka qenë Abedini që e mori në aeroport. Pastaj, natën e 1 shkurtit, rreth orës 22:00 e ka marrë bashkëshortin në telefon dhe i ka thënë që të shkojë dhe ta marrë te Zogu i Zi. Rreth orës 22:20, ai ka hipur në makinën e bashkëshortit tim dhe ka shkuar drejt shtëpisë së tij, ku jeton nëna e tij në Kombinat. Madje, kur kanë mbërritur në shtëpi, ai e ka ftuar që të takonte dhe të ëmën e tij, e cila, me sa di unë, ishte habitur kur e pa, sepse e dinte që ndodhej në Gjermani. Abedini e ka takuar të ëmën e Romeos, pasi njiheshin edhe më parë, pasi, siç ju thashë, ka gati katër vite që është taksist i kësaj familjeje. Kanë biseduar për pak te shtëpia dhe ka ikur. Më pas, në datën 3 shkurt, Romeo e ka telefonuar sërish në mëngjes bashkëshortin dhe i ka thënë se donte që ta çonte sërish në Rinas, pasi do të ikte në Gjermani. Bashkëshorti i ka thënë se ishte në punë dhe se e kishte të pamundur. Kaq është e gjithë historia.

Si ndodhi arrestimi?

Arrestimi ka ndodhur më datën 21 shkurt. Kam qenë me bashkëshortin dhe djalin në lokal. E marrin në telefon dhe i thonë që duhej të shkonte sërish në polici për deklarime. Ka qenë 10:30 e paradites. Është nisur menjëherë për në polici. Pastaj nga ora 16:30, më kanë marrë mua në telefon nga policia dhe më kanë thënë se duhej të vija dhe të paraqitesha në polici, për të dhënë deklarime. Zotërisë që më telefonoi i kam thënë se nuk jam taksiste dhe s’kam lidhje me këtë ngjarje dhe duhej të më tregonte arsyet pse më thërriste. U përgjigj shumë keq. Gjithsesi, së bashku me avokatin kam shkuar në polici pak më vonë. Kur shkova aty, policët i thanë avokatit që nuk ishte nevoja që të qëndronte me mua, pasi kishin thjesht një procedurë rutinë. Nejse, futem në zyrën përkatëse dhe i them se përse më keni thirrur dhe përse po mbani bashkëshortin tim ende në polici. Polici përballë ma kthen menjëherë dhe më thotë: ‘Burri yt është një kriminel’. Unë ia kthej: ‘Kriminel mund të jesh ti me shokët e tu, bashkëshorti im nuk ka bërë asnjë krim ose po ka bërë, ma thoni dhe mua ta di’. Ai ma kthen dhe më thotë se kanë folur me të dyshuarin Romeo Vide dhe se vetë Romeo e ka pranuar që Abedini e ka ndihmuar. Atëherë, unë u kam thënë se, në qoftë se kishin ujkun, çfarë kërkonin kot gjurmët. Menjëherë pastaj jam çuar dhe u kam thënë se unë nuk isha aspak e detyruar të qëndroja më shumë aty. Më pas, rreth orës 20:00 të darkës kanë ardhur rreth 11 policë të armatosur deri në dhëmbë me armë nëpër duar në shtëpinë time dhe më kanë kërkuar në shtëpi çelësat e makinës së bashkëshortit. U kam thënë se doja të shikoja mandatin që i lejonte të kryenin këtë veprim mbi pronën tonë private. Polici te dera ma kthen se po të donte, më hidhte hekurat në vend dhe mua. Pastaj më thanë se poshtë ishte dhe bashkëshorti im. Shkova poshtë dhe më thanë t’ia jepja çelësat një personi që ndodhej në një furgon policie. Kanë zbritur poshtë në garazh dhe e kanë tërhequr makinën sikur të ishte pronë pa vlerë dhe gati sa nuk e shkatërruan.

Keni informacion mbi gjurmët që mund të jenë gjetur në makinën e bashkëshortit tuaj?

Asnjë lloj gjurme nuk kanë gjetur. Madje, ç’është më e rëndësishmja, marrja e makinës është tërësisht e paligjshme, pasi praktikisht, nga pikëpamja ligjore automjeti është rrëmbyer dhe ata mund të kishin manipuluar si të donin mbi automjetin. Gjithsesi, asnjë gjurmë nuk ka patur në atë automjet. Po atë ditë, pra ditën e arrestimit, më 21 shkurt Abedinin e kanë goditur në polici.

Kush e ka goditur, në ç’rrethana?

Nga sa kam mësuar unë, rreth orës 16:00 të datës 21 ata kanë marrë Abedinin në mungesë të avokatit dhe me numrin e tij të telefonit i kanë telefonuar Romeo Vides në Gjermani. Romeo ka hapur telefonin dhe i pari i është përgjigjur: “Hë mo, ku je? Bashkëshorti im ia ka kthyer: Jam në polici, ku të jem. Çfarë është kjo punë kështu? Menjëherë telefonata është ndërprerë. Se nga Romeo, se nga policët që mbanin në dorë telefonin, këtë nuk e di. Më pas, e kanë goditur me grushta Abedinin, meqenëse i tha Romeos se ndodhej në polici. Pa e instruktuar aspak dhe në mungesë të avokatit, ata janë nxehur dhe kanë goditur bashkëshortin, i cili ka qenë në momente të mëdha tensioni. Normal që s’mund të ishte ndryshe. Për dy ditë me radhë, bashkëshorti i ka bërë të ditur policëve se do t’i denonconte për goditjet, ndërsa syri i ishte nxirë. Dy ditë më vonë, i kanë dhënë një material për të lexuar në kompjuter, ia ka dhënë prokurori dhe i kërkoi që ta lexonte dhe ta firmoste, ku ndër të tjera sqarohej dhe episodi i nxirjes së syrit nga goditjet. Por prokurori ka printuar një tjetër material në moment dhe jo atë që lexoi në kompjuter bashkëshorti. Bashkëshorti pa e ditur se materiali i printuar ishte një tjetër, firmosi. Në fakt, në mungesë të avokatit, në dokumentin e servirur, me paturpësi dhe me hile firmosi që nxirjen e syrit e ka pasur që para arrestimit. A e dini çfarë ndodhi pastaj? Kjo nxirje e syrit u përdor nga policia si shenjë se ai ishte i implikuar në vrasjen e ndodhur 20 ditë më parë. Deri këtu ka arritur paturpësia, por janë dhe shumë vulgarë në metodat që kanë përdorur. Sepse e kanë thirrur dhe dy herë të tjera para arrestit, por kur e thirrën këto dy herë, nuk i panë shenjat në sy ata? Me këtë dua të them që jam e shokuar dhe shumë e prekur nga trajtimi çnjerëzor që kemi parë në polici. Madje, në kundërshtim me ligjin, avokati i bashkëshortit ende nuk ka aktet dhe është paraqitur në gjykatë pa i pasur në dispozicion aktet e hetimit. Dyshoj se diçka po luhet dhe druaj për ndonjë skenar të qëllimshëm, pasi kjo sjellje e çuditshme e organeve shtetërore është e pashpjegueshme.

Masakrimi me 60 thika

i juristes Trashani

Aurora Trashani, juristja e Autoritetit të Konkurrencës u gjet e masakruar me 60 thika dhe e djegur pjesërisht, paraditen e datës 2 shkurt të këtij viti në një banesë të marrë me qira. Aktualisht, policia ka të dyshuar një emigrant shqiptar në Gjermani, të quajtur Romeo Vide. Në lidhje me Viden, policia dhe prokuroria kanë pretenduar se ai

mund të ketë kryer krimin për shkak të xhelozisë dhe pas një marrëdhënie që kishte patur me Trashanin, me të cilën ishte njohur në rrjetin social Facebook. Megjithatë, mbi hetimin e kësaj çështjeje, pistat ngelen të gjitha të hapura. Nga hetimet e kryera deri tani, të paktën katër persona të tjerë kanë deklaruar se kanë patur çelësat e apartamentit të Trashanit. Nga ana tjetër, ekspertiza ligjore ka përcaktuar se intervali kohor i vrasjes dhe masakrimit me 60 thika të Trashanit ka qenë mes orës 22-24:00 të datës 1 shkurt. Ndonëse ky është orari i ekzekutimit me thika të juristes, një tjetër element i rëndësishëm është zjarrvënia, e cila është vënë re mëngjesin e 2 shkurtit nga fqinjët. Ky element është gjithashtu i rëndësishëm, pasi rezulton se vrasësi mund të jetë rikthyer në mëngjes në skenën e krimit dhe t’i ketë vënë flakën, për të zhdukur çdo gjurmë të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›