Menaxhimi i financave, të rinjtë do edukohen që në gjimnaz

Për të siguruar një të ardhme sa më të shëndoshë financiare për paratë, duhet të mendohet që në gjimnaz.Të paktën kështu përcaktohet në librin “Financat personale në duart tuaja”. Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka bërë të mundur botimin e një libri për edukimin financiar të gjimnazistëve, i cili pritet të prezantohet në vitin mësimor 2011-2012.
Këtë nismë të Bankës së Shqipërisë, e ka përshëndetur edhe ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Sipas tij është shumë e nevojshme rritja e kulturës financiare.
“Banka e Shqipërisë ka mbështetur zhvillimin e këtij libri që bëhet pjesë e grupit të moduleve, që kanë të bëjnë me formimin financiar. Ne kemi shumë nevojë për rritjen e kulturës financiare”, u shpreh ministri.
Ky libër do të jetë një lëndë me zgjedhje dhe vjen në gjimnazet shqiptare për herë të parë për të ndihmuar të rinjtë për një administrim më të mirë të parave.