E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, zbardhet ndarja e 9000 kuotave sipas universiteteve

SHKRUAN: Jonida Tashi 01-09-2011 13:26

Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t’i ndjekin 9 mijë studentë. Qeveria ka miratuar dje vendimin “Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe tarifat e shkollimit për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2011-2012”. Sipas këtij vendimi, numri total i kuotave për studimet part-time, gjatë vitit të ri akademik, do të jetë 9010 kuota pranimi, nga të cilat, 8610 do të jenë për studentët nga brenda vendit dhe 400 për ata që vijnë nga trojet dhe të huajt. Krahasuar me një vit më parë, kuota e pranimit për studimet e pjesshme është rritur me 940 studentë më shumë, ose 8%. Si gjithmonë, edhe për këtë sistem studimi, pjesa më e madhe kuotave do të jenë për Universitetin e Tiranës, 2210 të tilla, kjo jo vetëm për mundësitë më të mëdha që ai ofron për part-time, por edhe për shkak të kërkesave në rritje të të rinjve. Ndërsa pjesa tjetër e kuotave të pranimit do të jetë pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë me nga rreth 1 mijë kuota për Universitetin Bujqësor dhe po kaq edhe për universitetet e rretheve, si: Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra, Durrësi. Sakaq, ekspertët e arsimit shpjegojnë se arsyeja e shtimit të kuotave në part-time është rritja e kërkesave për të vijuar studimet me këtë sistem. Sipas propozimit të bërë nga institucionet e arsimit të lartë, në Universitetin e Tiranës më shumë mundësi studimi për part-time do të ketë Fakulteti i Histori-Filologjisë. Në secilën prej tri degëve të Filologjikut, Histori, Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, kuotat e pranimit do të jenë 250, që në total shkojnë në shifrën 750 pranime. Pas Filologjikut, një tjetër fakultet i Universitetit të Tiranës që do të presë një numër të konsiderueshëm studentësh në sistemin part-time është edhe Ekonomiku. Gjatë vitit të ri akademik, në dy degët e këtij fakulteti, Administrim-Biznes dhe Financë-Kontabilitet, do të pranohen 300 studentë, ndarë në mënyrë të barabartë 150 kuota në secilin program studimi. Krahasuar me një vit më parë, numri i kuotave në këto dy degë është ulur me 50 pranime. Po kaq është reduktuar numri i kuotave edhe në Fakultetin e Drejtësisë, që është një ndër më të preferuarit për studimet e pjesshme, sidomos për fakultet të dytë. Gjatë vitit të ri akademik, Juridiku do të pranojë 250 studentë në part-time, nga 300 që ka pasur një vit më parë. Në mënyrë të ndjeshme numri i pranimeve është ulur edhe në Fakultetin e Infermierisë, i cili nga 230 kuota që ka pasur një vit më parë, sivjet do të pranojë 150 studentë. Sikurse kuotat, në vitin e ri akademik, për sistemin me kohë të pjesshme do të ndryshojnë edhe tarifat e studimit që pritet të pësojnë rritje. Propozohet që tarifat të rriten me 4% nga ato ekzistuese. Për herë të parë këtë vit, për maturantët që duan të vazhdojnë studimet part-time, kriter do të jetë zotërimi i Diplomës së Maturës, që nënkupton rezultate pozitive në të katër provimet.

Mesatarja, kriter pranimi në part-time

Mesatarja e shkollës së mesme do të jetë një ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes do të marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Ky rregull do të jetë i vlefshëm për të gjithë aplikantët që do të konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi apo i dytë. Për rrjedhojë, kandidatët që nuk kanë një notë të mirë mesatare do ta kenë tejet të vështirë për të ndjekur studimet e pjesshme këtë vit. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet do të përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Përsa i përket kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet e pjesshme për fakultet të dytë, këtë vit, drejtuesit e arsimit kanë vendosur që të ndryshojnë kriterin e mesatares. Kështu, ndërsa më parë një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve ishte që nota mesatare e fakultetit të parë duhet të ishte mbi tetë, këtë vit jo me patjetër do të merret në konsideratë vetëm kjo e fundit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›