Menaxhimi i ujërave të zeza, Berisha: 90 milionë euro për impiantin e Kasharit

Mbledhja e sotme e Këshillit të Rregullimit të Territorit ka pasur sot në fokus të diskutimeve të tij ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza për Tiranën që do të ndërtohet në komunën Kashar. I pranishëm në mbledhje kryeministri Sali Berisha, e vlerësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit dhe një nga investimet më të mëdha, 90 milionë euro në historinë e vendit, ndihmë bujare kjo e qeverisë japoneze. Sipas kryeministrit ndërtimi i këtij impianti pritet kompletojë ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil.
“Në këtë mënyrë do bëhet e mundur që shumë shpejt ujrat e bregdetit shqiptar të jenë ujrat e brigjeve më të pastra të Adriatikut, Jonit e Mesdheut. Ky është i impianti i 15- ti që ndërtohet në të gjithë zonën parabregdetare e bregdetare- tha Berisha, duke bërë të mundur realizimin e treguesve më të pastër të ujrave të brigjeve tona.
Në këtë kontekst Kryeministri tha se “Pogradeci është impianti i dytë i përpunimit të ujërave të zeza që është ndërtuar. Po ndërtohet një impiant dhe për Shkodrën dhe Liqenin e Shkodrës” dhe e gjithë kjo sipas tij do të vendosë standarde më të mira të pastërtisë së ujërave, standarde këto jetike për parandalimin e një sërë sëmundjesh.