E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kutitë e këshillave dhe minibashkive gjenden afro 100 vota pro’ Lulzim Bashës. Precedenti i 2007-ës njeh vlefshmërinë e tyre. Basha: Votat e kontestuara janë të vlefshme, KQZ të respektojë vullnetin e qytetarëve

15-05-2011 / Nga Leonard QUKU

UPDATE-- KQZ, Ristani: Brenda 48 orëve do shpallim Kryetarin e bashkisë së Tiranës


-- Kryeministri: Kjo mazhorancë ka fituar zgjedhjet në rang kombëtar, 72 mijë vota më shumë


-- BE: Në pritje të rezultatit për Tiranën, të respektohet vullneti i qytetarëve


Lulzim Basha: Votat e kontestuara janë të vlefshme, KQZ të respektojë vullnetin e qytetarëve


Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u shpreh sot gjatë një deklarate për shtyp se duhet të respektohet me përpikmëri vullneti i qytetarëve të Tiranës në ushtrimin e të drejtës së votës. Përmes një deklarate për shtyp, Basha kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shqyrtojë çdo votë të kontestuar ta konsiderojë të vlefshme pavarësisht se kujt kandidati i përket. “Dëshiroj të falënderoj edhe njëherë çdo komisioner, çdo numërues dhe të gjithë vëzhguesit, të cilët ndihmuan procesin dhe vazhdojnë punën për mbylljen e tabelave dhe përcaktimin e saktë të rezultatit. Numërimi i çdo vote duhet të jetë i saktë dhe të reflektojë vlerat e demokracisë. Të gjitha votat duhet të numërohen me ndershmëri dhe në mënyrë të barabartë dhe se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet në mënyrë korrekte. Të gjithë duhet të respektojnë zërin e qytetarit. Gjëja më e rëndësishme nuk është se kush fiton dhe kush humbet, por respektimi i votave të qytetarëve. Çdo votë duhet konsideruar e vlefshme dhe ky standard duhet të jetë njëlloj në çdo vend numërim. Çdo votë e kontestuar duhet të përcaktohet në rrugë ligjore. KQZ duhet të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pavarësisht se kujt kandidati i përket. Nga e gjithë kjo, Tirana do ketë fituar, procesi demokratik do ketë fituar. Nuk ka asnjë dyshim që këta qytetarë që ushtruan të drejtën e votës, meritojnë plotësisht që të numërohet vota e qytetarëve. Ka akoma shumë kuti të pahapura dhe të pa-numëruara. Në respekt të vullnetit të qytetarëve do të kërkoj që këto vota të konsiderohen. Asnjë qyteti nuk i duhet mohuar vota e tij. Cilido që të jetë vullneti i votueseve unë do të respektoj”.


Vetëm në njësinë bashkiake nr.7 janë gjetur 31 vota pro’ Bashës, të hedhura në kutitë e kryetarin e minibashkisë


31 vota pro’ kandidatit demokrat janë gjetur në njësinë bashkiake nr.7, të hedhura në kutinë e kryetarëve për minibashkitë. KZAZ vendosi që këto fletë regjistrimi të regjistrohen në librin e protokolleve dhe konstatimeve. Numri total i fletëve të votimit shkon në 31 të tilla.


Arben Imami: Fletët e kontestuara të administrohen në rrugë ligjore


Flet deputeti demokrat dhe njëherazi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, lidhur me fletët e votimit të kandidatit për bashkinë e Tiranës, të cilat u gjetën në kutitë e këshillave bashkiake dhe kandidatët për minibashkinë. Sipas Imami, këto nuk janë vota të pavlefshme, por shprehje e drejtë e vullnetit të qytetarëve, pavarësisht kutisë se ku janë gjendur.


”Votat quhen të pavlefshme kur shoqërohen me probleme teknike si p.sh grisje të fletës, gërvishtje, bojë stilolapsi si dhe vendosja e shenjës së votimit në më shumë se 1 kandidat. Është e nevojshme që këto vota të administrohen dhe të shkruhet qartë se këto vota u gjetën në këto kuti. Më pas, është çështje KQZ që të vlerësojë këto vota nëse janë për njërin apo tjetrin kandidat. Është e rëndësishme të këto vota kanë dalë nga komisioni i qendrës së votimit. Këto nuk janë vota të pavlefshme; pra të kenë pasur dy shenja ose tre, por janë vota që janë gabimisht nga qytetarët nga kutia e kryetarit në atë të kryetarit të minibashkisë. Ne kërkojmë që këto të administrohen në rrugë forma ligjore”- tha Imami.  


Precedenti i 2007-ës, në komunën Temal të Shkodrës


Fituesi demokrat Nard Mani, u shkurorëzua nga 8 vota ‘pro’ PS që ishin në kutinë e këshillave


Një precedent i ngjashëm ndodhi në komunën Temal të Shkodrës në vitin 2007, ku pesë vota të gjetura në kutinë e votimit të këshillit komunal, shkurorëzuan kryetarin e komunës së PD, Nard Mani dhe ja dhanë mandatin kandidatit socialist, Mark Zhuri  


Z. Mani, raste të tilla me atë që ju ndodhi juve në vitin 2007 po përsëritën edhe në Tiranë. Ne duam të dimë diçka më shumë në lidhje me precedentin që u ndodhi juve gjatë zgjedhjeve katër vite më parë?


Unë, në 2007, kam kandiduar për kryetar komuna në Qarkun e Shkodrës, në komunën Temal, për Partinë Demokratike. Procesi i votimit ishte i rregullt. Gjatë numërimit, në kutinë e fundit unë dola fitues me 3 vota diferencë plus. Për këtë fitore më uroi dhe kandidati i majtë. Kur u hap kutia e subjektit politik, për këshillat, në këtë kuti u gjetën pesë vota të subjekti politik që ishin hedhur gabimisht nga votuesit. Më pas, disa informacione që i kishin ardhur kandidatit socialist nga Partia Socialiste në Tiranë, i thanë ta ankimonte procesin. Të njëjtën gjë bëra dhe unë, e ankimova çështjen në KZAZ. KQZ-ja ma rrëzoi mua kërkesën dhe ja dha mandatin kandidatit të Partisë Socialiste.


Ju po thoni që KQZ ja dha këto vota PS?


Po, ja dha kandidatit të PS dhe e shpalli fitues. Më pas unë e ankimova në Kolegjin Zgjedhor, por edhe ai la në fuqi vendimin e KQZ. Votat e gjetura në kutinë për këshillat bashkiak u cilësuan të vlefshëm dhe ju kaluan kandidatit të Partisë Socialiste, duke e shpallur fitues atë. Fillimisht mu duk diçka pa kuptim, por më pas u konsultova me jurist të ndryshëm dhe më thanë, se derisa vota është e rregullt dhe nuk është e prekur është e vlefshme dhe nuk mund të mos marrësh parasysh vullnetin e popullit. Sepse vullneti i popullit është shprehur pavarësisht se ka ndodhu ngatërrimi i kutive.


Çfarë bëtë më pas?


E gjitha është se, pasi u konsultova me juristë dhe ma sqaruan gjithë procesin, më mbetej ta pranoja, urova kandidatin socialist.


Sali Berisha: Kemi fituar në rang kombëtar- Basha është fitues në Tiranë


Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se mazhoranca mbetet në pritje të rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilin do ta respektojë unanimisht. Sipas shefit të ekzekutivit Partia Demokratike ka fakte të pakontestueshme për një fitore të kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha. “Garantojmë që ne do pranojmë çdo rezultat të vendosur nga institucionet demokratike të këtij vendi sikundër do të qëndrojmë prapa çdo vote të kundërshtueshme me qëllim që vota e qytetarëve të ketë të njëjtën vlerë dhe peshë dhe kjo do të bëhet në mënyrë më transparente”- theksoi Berisha. Duke i referuar zgjedhjeve në rang vendi, kryeministri Berisha theksoi se flamuri i Partisë Demokratike i cili udhëhoqi koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, ka fituar 72 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë. “Unë jam njeri i betejave kombëtare; koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, fitoi bindshëm në rang vendi”, tha Berisha, duke shtuar se “ky është triumf i vërtetë i platformës të bazuar tek vlerat e qytetarit”. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare solli në vëmendje se pas përfundimit të gjithë procesit zgjedhor ai do të bëjë një analizë përfundimtare për ecurinë e gjithë procesit, analizë, e cila sipas tij do të bëhet në mënyrë transparente, dinjitoze dhe të përgjegjshme.


Z.Berisha ju deklaruat dje se ju jeni disa vota para  në Tirane,cili është komenti juaj rreth kësaj dhe si e vlerësoni në tërësi procesin zgjedhor në Tiranë që nga fillimi dhe deri në përfundimin e tij?


Ajo që unë ju thashë dje e sot, mund t’ju them se ne disponojmë fakte te pakundërshtueshme dhe ne nuk bëjmë siç bëri zotëria 2 vjet rresht, hap kutitë se ke vjedhur votën, por  ne ju tregojmë çdo gjë me fakte, nuk deklarojmë gjë pa dokumente ligjore të qarta si kristali. Ne nuk e bazojmë në opsesione dhe në dyshime qëllimin tone. Falenderoj komisionerët dhe vëzhguesit tanë të cilët zbatuan ligjin, edhe nëse bënë gabime, të gjithë gabojnë, por ata kanë qenë në krye të vlerësimit tim. Së dyti, nuk më takon mua të jem gjykatës për karakterin e zgjedhjeve sepse unë kam qenë lojtar. I takon vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë fjala mbi to. Në vlerësimin tim  këto zgjedhje kanë qenë shumë të mira, pati disa momente për-zgjatjeje ndoshta që edhe mund të ishin më të shmangshme te zona nr 5, por them se u kapërcyen pa asnjë lloj incidenti. Për të tjerat unë e kam të vështirë të komentoj pasi unë jam lojtar, duhet që të dëgjojmë të tjerët, por unë do të pranoj vlerësimin. Kaq mund të deklaroj, vlerësimi i institucioneve të zgjedhjeve, vlerësimi i arbitrit ndërkombëtar.


Z. Kryeministër, mund ta përcaktojmë z.Basha si fituesin e madh, pavarësisht rezultatit të thjeshtë të këtyre zgjedhjeve?


Lidhur me kandidatët, deklarova dje dhe sot, shpalljen e fitimtarit do ta bëjë, KQZ. Ky është institucioni kushtetues i ngarkuar për këtë çështje. Ajo që thashë, qëlloi plotësisht, ne kemi fakte dhe dokumente për këtë, por jam i bindur se edhe pala tjetër do të ketë të sajat, dhe unë i mirëpres. Për mua rëndësi ka kjo, që ky proces gjigand, pasi mbi 1,344 mijë zgjedhës hodhën votën. Tani kanë mbetur disa probleme të ngushta e të vogla, në lidhje me gjigandizmin e procesit. Disa çështje të cilat duan rishqyrtim. Unë kam të gjithë durimin dhe vendosmërinë, për të pritur verdiktin e institucioneve. Por në qoftëse dje thashë, që kemi kaq, sot kemi më tepër se kishim dje. Natyrisht nuk jam unë gjykatësi i tyre. Gjykatësit e tyre, janë gjykatësit e vendit, dhe komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne ndjekim ligjin dhe shtetin ligjor. Zgjedhjet janë të ndershme, kur zbatohet shteti ligjor, pra kur funksionon ai.


Si do ta vlerësoni rezultatin humbës në disa qytete të vendit?


Të garantoj që nuk ka humbje të ëmbël në asnjë vend. Por, meqë jemi pranë mediave, deklarova, gjatë fushatës se përgjigja ime është kjo. Në të gjitha daljet e mia gjatë fushatës, unë jam shprehur se nëse z. Rama, fiton qoftë edhe një votë më shumë se koalicioni që unë drejtoj, unë i kam humbur zgjedhjet. Dhe ju këtë mund ta kontrolloni në fakt. Kam shprehur thelbin e dijes time më të thellë. Kjo për dy arsye, sepse aty në fletë votimi është flamuri i partisë tënde, dhe partia ka simbolet e saj, kryetarin, flamurin që vendoset para qytetarëve, dhe ai është vetëm politik. Në këtë kontekst një arsye e dytë ishte, se kundërshtari im, në një mënyrë të papërmbajtur, i shpalli zgjedhjet si një referendum kundër kusarëve, kundër qeverisë. Dhe ndërtoi të gjithë fushatën elektorale në këtë bosht sharjesh, trillimesh e shpifjesh. Ne ndoqëm një fushatë tjetër, siç e keni parë vetë, të bazuar në qytetarin dhe kjo bëri që flamuri e koalicioni i udhëhequr nga PD, të marrë 72 mijë vota më shumë se koalicioni i udhëhequr nga z. Rama. Unë jam njeri i betejave kombëtare, ju duhet ta keni parasysh këtë, çfarëdo që të bëjë lideri, ai nuk mund të mbetet në atmosferë tjetër, përveç asaj kombëtare. Këtë betejë kombëtare, nuk mund ta ndërroj me asgjë tjetër, për mua kjo ishte e para. Unë kam disa parime, sovrani nuk gabon kurrë. Ka nga disa politikanë, që fajësojnë sovranin, por populli nuk gabon kurrë, ai ka një gjakftohtësi tërësore. Po të mbledhësh të gjitha votat e tyre, del diçka mahnitëse në rezultat.


Po i ndalem garës së Tiranës, kreu i PS, shpalli fitoren, KQZ gjithashtu tha se duhen edhe dy ditë kohë për të llogaritur e shpallur rezultatin, por ku e bazon PD-ja dhe çfarë janë konstatuar në këto procesverbale?


Z.Rama i vuri vetes 10 dje, këtë pashë unë. Nuk shpalli fitoren, dhe tha fitova me 10 vota, dhe kjo ishte një 10-të shkollore, se ai ka kompleksin e notës 10-të. Njeriu që nuk pa 10-ta në shkollë i sheh tani, nxori një 10 pas 40 e ca vjetësh, ndërsa nuk do të thotë asgjë. Për mua, jam shumë i vetëdijshëm, që ky rezultat është tepër i ngushtë dhe staticienët më thonë me një incident shumë të rrallë, por unë nuk po e diskutoj dhe nuk po them se ky rezultat nuk është për tu përfillur. Ky rezultat është për t’u finalizuar dhe besoj se jemi dakord se unë nuk mund të them se është finalizuar rezultati pa u bërë vlerësimi i votave të kontestuara dhe ju duhet të dini një gjë se në doktrinën elektorale thelbi dhe zemra e doktrinës është kontesti. Në qoftë së ti e nën-kalon këtë dhe e nënvlerëson këtë s’ke zgjedhje dhe zgjedhjet i fiton i forti. Pra unë pres kontestin dhe e ftoj dhe z.Rama dhe të gjitha forcat politike të ushtrojë këtë të drejtë politike, por me besim tek institucionet dhe s’ kemi pse të mos të kemi besim në to. Jemi vend si anëtar të Këshillit të Europës dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar, ndër të tjera dhe mbi të tjera, për të drejtën themelore ka tagër të plotë qoftë edhe një i vetëm t’i drejtohet Strasburgut për votën e tij, por kjo është e panevojshme sepse ne kemi institucionet tona serioze dhe unë kam besim në vlerësimin e tyre. Pra këtu kemi të bëjmë me një çështje themelore, parimore me vlerësimin e votave të qytetarëve shqiptarë. Një vend që vendosi këto standarde,vlerësim me televizione të drejtpërdrejta,me ekrane, një vend do ta ketë për nder dhe për kënaqësi të vlerësojë çdo votë. Unë personalisht këtë bindje ndaj dhe shpresoj që edhe kundërshtarët e mi të kenë arritur në këtë konkluzion.


Z.Berisha ju thoni që Partia Demokratike disponon fakte të pa kontestueshme për sa i përket atij rezultati të cilit edhe ju vetë e konsideruat si të ngushtë mes dy rivalëve, por nga ana tjetër nga sa kemi ndjekur gjatë gjithë ditës së djeshme, z. Rama pretendon se edhe PS ka fakte të pa kontestueshme për sa i përket rezultatit të cilin edhe ai mendon dhe pretendon se është 10 pikë në avantazh, pra 10 vota plus. Megjithatë për ata që nuk arrijnë ta kuptojnë, në çfarë dokumentesh ju pretendoni se do të kalojë për z.Basha, përveç procesverbaleve që pa-diskutim janë ato që vendosin, mos do merrni në konsideratë edhe disa vota të cilat janë gjetur në kutitë e tjera?


Mund të them se Basha u duk qartë dje se do të presë rezultatin dhe e çoi edhe më tutje duke thënë se në rast se rezultati del në favor të z.Rama do ta marrë në telefon. Unë nuk kërkoj që z.Rama të më marrë në telefon për 72 mijë vota më shumë. A do ta marrë z.Rama z.Basha në telefon, unë nuk e di pasi kjo është puna e tij, pasi të finalizohet vendimi, por z. Basha i bëri ofertën. Tani votat e kundërshtuara janë të kontestuara, kanë logjikën e tyre, kanë kodin e tyre, kanë përcaktimin e tyre, por një gjë është e sigurt, se ne nuk do të paraqesim as edhe një kundërshtim pa fakte të plota, fakte që do vlerësohen nga ata të cilët ne i kemi zgjedhur dhe i kemi besuar administrimin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre. Sado që të them unë që kjo votë është e vlefshme apo e pavlefshme, nuk jam unë ai, por është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do i vlerësojë këto, janë instancat konstitucionale, një gjë është e sigurt që ne do të qëndrojmë për çdo votë dhe e them këtu pa dallim përkatësie për çdo qytetar shqiptar, kjo sepse ne duam që ky vend ta plotësojë edhe këtë, të ketë shqyrtimin më transparent të atij që quhet kontest, kundërshtim, element faktor që i garanton një proces pa të cilin nuk do të kishte kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Televizioni jonë nga një hulumtim që ka bërë gjatë mbrëmjes së djeshme në 3 njësi bashkiake kanë rezultuar të paktën 57 fletë votimi të rregullta të cilat janë votuar për kandidatin dhe janë gjetur në kuti të njësive të tjera bashkiake të cilat do të donim të dinim edhe vlerësimin e tyre dhe që vlerësimi i kandidatit nuk llogaritet me gishtat e dorës dhe sa mendoni se është e rëndësishme ky vlerësim? Cila është e vërteta e këtyre zgjedhjeve të Tiranës dhe kush është fituesi tyre?


Lidhur me pyetjen e parë është e vërtetë që ka një numër të vogël votash të kontestuara,  por nga ana tjetër ju i keni të paanshme, nuk them se janë të paanshme se unë nuk di të palës tjetër, nuk kam bilancin e palës tjetër edhe por edhe atë mund ta gjej ashtu si edhe ata gjejnë ato tonat. Pra ky vend ka 20 vite që zhvillon zgjedhje, fatmirësisht dhe janë precedentët, ka arkivë, një prej tyre ndodhi në 2007, ku një prej kandidatëve të Partisë Demokratike, fitues me 3 vota, fitoi, por kur u hap kutia tjetër, në kutinë e këshillit u gjetën 5 vota në kutinë për kryetar, socialistët na paditën, e fituan çështjen dhe kandidati ynë që u shpall u shkurorëzua dhe ja dorëzoi mandatin rivalit të tij, sepse gjykatësi tha se prevalon e drejta themelore e votës, se aty në qendrat e votimit ka edhe njerëz që janë të detyruar ti drejtojnë në kuti dhe e kryen ata detyrën. Qytetari e kreu detyrën e tij, qytetari e hodhi votën, por ka edhe njerëz që kanë probleme me ngjyrën apo me dallimin e ngjyrave të zakonshme, dhe nuk mund ti thuash dot, pse u duket tjetër për tjetër. Rëndësi ka që vota e çdo qytetari të peshojë njësoj, të jetë si vota ime, si ajo e Kryeministrit, si ajo e Presidentit, si vota e z. Rama, si vota e çdo njeriu e çdo votë tjetër, të ketë të njëjtën peshë në këtë vend. Aty jemi të barabartë, para Zotit dhe kutisë së votimit jemi të gjithë të barabartë.


Z. Berisha, a e kishit menduar që fitorja në Tiranë do të ishte kaq e ngushtë, pasi palët të dyja festojnë për fitoren, duke patur parasysh që ju në zgjedhjet e 2007 humbët thellë në Tiranë? Keni humbur disa bastione, si Kavaja apo edhe Laçi, por keni fituar këshillat bashkiakë, a mendoni që kandidaturat e përzgjedhura nga ana juaj nuk ishin të mirë-gjetura për këto zgjedhje?


Këto zgjedhje kanë një risi të madhe, qytetarët shqiptarë votuan flamurin e Partisë Demokratike, si udhëheqëse në këto zgjedhje për koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, kjo është e vërteta. Së dyti, e vërteta tjetër është ajo që thatë ju që në disa qendra fituan kandidatët e Partisë Socialistë dhe do të menaxhohen nga ata. Sado qoftë jo e këndshme, nuk do të më pengojë mua të kem një bashkëpunim shumë të mirë, me të gjithë të zgjedhurit e këtij vendi. Pa diskutim që do të ketë analiza, por analiza të ndershme, analiza të cilat, njerëzit e qytetëruar janë njerëzit e përgjegjësisë, duke nisur nga kryetari i partisë së tyre dhe të gjithë me radhë. Do të analizohen të gjitha shkaqet dhe do të përdoret kjo analiza në funksion të një fitoreje spektakolare në shërbim të vitit 2013. Nuk ka kurrë fitore të përjetshme e as humbje të përjetshme, ndaj edhe beteja jonë është që këto 72 mijë vota të mund t’i çojmë deri në 100 .000 të paktën. Për Tiranën, kur nisëm betejën, e nisëm për ta fituar, dhe unë kam bindjen se zhvilluam betejën më të bukur elektorale të këtij vendi. Unë shpesh e deklaroj, se librat që lexoj më shumë janë librat e fushatave elektorale, çdo fushatë është një libër për mua. I marr nga mediat e i riprodhoj duke i parë, ashtu siç shihni ju fotografitë më të dashura, i shoh për të nxjerrë mësim nga to, plus që me ndihmën e memories, jam shumë krenar  për këtë betejë të qytetëruar që zhvilluam në Tiranë, e cila pati edhe pëlqimin masiv të tyre. Finalja është aq e ngushtë saqë nuk më takon mua të parakaloj e të shpall rezultatin para institucioneve të vendit. Deklarimet e mia nuk përbëjnë asnjë lëvizje nga pozicioni im, kam qenë me të njëjtat ide dje dhe sot, unë jam i vendosur të pranoj çdo rezultat të certifikuar nga institucionet e vendit. Të jeni të bindur se edhe pse kemi dalë 72 mijë, por edhe sikur të ishim 100 mijë vota më pak, unë do të them gjithmonë se sovrani nuk gabon. Kjo është kultura ime politike. Ndaj dhe nuk kam asnjë lloj tërheqje, përkundrazi, kam një vendosmëri të plotë, për t’i qëndruar mbrapa çdo vote dhe çdo të drejte të qytetarëve të Tiranës. Të dhënat që kemi janë ato që kam thënë, por edhe kundërshtari im, mund të ketë të dhëna për votat, mund të ketë dokumente që ai i paraqet dhe unë nuk mund të them se cila është kjo, por e ftoj edhe atë që të angazhohet në një betejë për të qëndruar mbrapa votës së çdo qytetari shqiptar e të Tiranës.


KQZ, Ristani: Brenda 48 orëve do shpallin fituesin e bashkisë së Tiranës


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani deklaroi sot në mbledhjen e rradhës se brenda 48 orëve të ardhshme do të mund të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Sipas Ristanit deri më tani kanë ardhur më shumë se gjysma e tabelave ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme të mbërrijnë në KQZ edh tabelat e fundit të cilat më pas do të verifikohen. I pyetur nga mediat se si do të procedojë KQZ-ja për 15 fletët e votimit për kryetar bashkie të gjetura në kutitë e kryetarëve për minibashkitë në njësinë numër 7, Ristani theksoi se është kompetencë e KZAZ-së për të vendosur në lidhje me këto fletë votimi. Sipas tij, tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën përllogaritjen e të gjitha procesverbaleve për të dalë në konstatimin përfundimtar. Në orët e mëngjesit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbërritën edhe diplomatë ndërkombëtarë të cilët realizuan takime me përfaqësuesit e këtij institucioni.


Shefi i delegacionit të BE, Sequi: Të respektohet vullneti i qytetarëve- zgjedhjet ishin test i rëndësishëm për Shqipërinë


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i konsideroi sot zgjedhjet e 8 Majit, si “një test i rëndësishëm për Shqipërinë”. Duke folur për këto zgjedhje, ambasadori Sequi theksoi për mediat se, “ne e konsiderojmë procesin dhe zgjedhjet si një test i rëndësishëm për përparimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.  Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian shprehu mbështetjen për institucionet, duke nënvizuar se “ne i mbështesim institucionet dhe kemi besim, që institucionet janë në gjendje që të punojnë me profesionalizëm”.  Ambasadori Ettore Sequi i bëri këto komente në media, pas një takimi që zhvilloi me përfaqesues të Komisionit Qendror te Zgjedhjeve (KQZ), sot paradite.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›