E Diel, 1 Nëntor 2026

Mendime të ndryshme në Kosovë për lobimin për njohjet e reja

Në Prishtinë ekzistojnë mendime të kundërta në lidhje me formën e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës. Autoritetet thonë se ska nevojë për një strategji të fiksuar lobimi, kurse forcat në opozitë pohojnë të kundërtën. Lidershipi i Kosovës ka paralajmëruar këto ditë, në disa raste, shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Opozita dhe shoqëria civile i bëjnë thirrje Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë

 që të hartojë një strategji për mënyrën e lobimit menjëherë pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësisht nëse do të ketë një mendim pozitiv, neutral apo edhe në rastin më të keq, negativ për pavarësinë e Kosovës nga kjo instancë ndërkombëtare e drejtësisë. Mirëpo, zëdhënësja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se nuk ka nevojë për një strategji të tillë, pasi që, sipas saj, nuk pritet më valë njohjesh në bllok nga një numër i shteteve përnjëherë, por njohje nga vendet që kanë vendosur që ta respektojnë GJND-në para se të marrin vendimin për të njohur shtetin më të ri. Nuk mund të kemi një strategji, sepse Ministria e Jashtme përditë ndeshet me lobim. Nuk mund të kemi një strategji uniforme lobuese pasi që vendet, të cilat e kanë pasur interes të tyre parësor Kosovën, tashmë e kanë kryer procesin e njohjes dhe ne, në asnjë rast nuk mundemi që edhe vendeve tjera tua ofrojmë të njëjtën strategji, do ta quaja, uniforme të lobimit, shprehet zëdhënësja e MPJ, së Kosovës Albana Beqiri. Një mendim të kundërt me zyrtaren e Ministrisë së Jashtme shpreh Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e Re. Sipas Gashit, diplomacia kosovare ka nevojë për një strategji, e cila do të përfshinte në vete edhe figura vendore e ndërkombëtare në shërbim të rritjes së numrit të njohjeve. Opozita dhe shoqëria civile i kanë rekomanduar disa herë qeverisë që të angazhojë personalitete ndërkombëtare që kanë ndihmuar në krijimin e shtetit të Kosovës, edhe në procesin e lobimit për njohje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›