E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ǒtë thotë imagjinata, ta bën dora

Në traditën tonë familjare, femra duhet doemos t‘i kishte duart e arta; e përkthyer kjo si zotësi maksimale në qepje, endje shoqëruar me shije e finesë në çdo produkt që duhet të nxirrte nga duart. Kjo, më së shumti, shihej në dantella e qëndisma të llojllojshme: mbi veshje, çarçafë, jorganë e jastëkë e për këtë thuhej se "ç‘i zë syri i bën dora". Ishte kjo shkalla më e lartë e vlerësimit për "yllin" që i ndriste në lëmën e avlëmëndit, që dashur pa dashur kategorizohej si një gjini arti më vete brenda traditës, ndaj dhe paja e nuses shndërrohej në një lloj ekspozite për soj e sorollop nga fisi, fqinjët e shoqëria. Por pak e nga pak të tilla qoka na kanë lënë; femra vlerësohet e komplimentohet për të tjera standarde, ndërsa punimet e dorës janë ekzekutuar nga "tregu" me vërshimin e avlëmëndit të gatshëm si pjesë e procesit të konservimit të gjithçkaje dhe të vetë njeriut. Pak a shumë, këtë kanë dashur të shprehin studentë të vitit të parë dhe të dytë të Ateliesë së Tekstilit dhe Modës në Akademinë e Arteve, nëpërmjet një ekspozite tejet të veçantë, që mbart dy emra "Riciklim/Flora". E para u takon studentëve të vitit të parë dhe e dyta, atyre të vitit të dytë. Pedagogia e tyre, artistja e njohur e arteve vizive, prof. asoc. Najada Hamza, me emocion dhe urtësi profesionale, përcjell te të interesuarit për ekspozitën punët dhe kumtet e vajzave në to. Në retorikën e saj me fjalë si pikla uji të rëna gjithnjë atje ku duhet, Hamza shpjegon në detaj atë që fillimtazi duket si një shpërthim kaotik formash, teknikash e koloritesh prej një luzmë vajzash të ngërthyera nga sindromi i snobes dhe në art. Por, dalëngadalë kupton se nuk është ashtu. Tërheqja e papërballueshme vizive, pak e nga pak, shndërrohet në një lloj zbulimi sikur proceset e çkodimit të mesazheve, pas së cilave fshihet misteri i ekzistencës me çfarë bart ajo. Duke folur për "Riciklimin", Hamza thotë se është bërë në dy kontekste: në atë profesional dhe atë ideologjik. Për kontekstin profesional, thuhet se "kontakti, trajtimi, punimi, përpunimi dhe përdorimi i materialeve me cilësi të ndryshme ndonjëherë dhe të largëta rrit aftësitë e studentëve, nxit imagjinatën, edukon ndjesinë e prekjes, zgjeron spektrin e interesit të përdorimit të materialeve në fushën e tekstilit etj. Ndërsa në kontekstin ideologjik është riciklimi - riprocesimi i materialeve të riciklueshme - në epokën e superindustrializimit, konsumizmit dhe globalizimit..."

Ndryshe nga "Riciklimi", gjysma tjetër e ekspozitës e quajtur "Flora", është në funksion të tjetër mesazhi. "Flora thirrej perëndesha romake e luleve, kopshteve e sot ne klasifikojmë kështu një grup shumë të madh formash jete, tërësinë e bimëve", thuhet në tekstin shtjellues të pedagoges Najada Hamza, e cila vijon më tej: lulet janë pjesë e historisë së njeriut; gjallesa që kanë vlerë simbolike, të pranishme në çdo civilizim në momentet më të rëndësishme të jetës: lindja, martesa, vdekja. Dhe këtë, më së miri e shpreh puna e studentes Dile Gjinaj, e cila ka shndërruar ca gjethe pemësh në fletë ditari. Për punët e saj, ajo shkruan: Kur më është dhënë mundësia të ndërtoj mbi diçka që është, dora ime ka tërhequr materiale që ndoshta shpejt kalben dhe arsyeja është ajo që më thotë se çdo gjë ka fazën më të bukur të zhvillimit derisa tretet. E shoqet e saj nuk janë më pak surprizuese gjithnjë për atë që të "bën dora", me një ndryshim: jo nga ajo "ç‘të sheh syri", por nga ajo që të pjell imagjinata. Ja për shembull, Syzana Gashi, ka krijuar disa palë këmbë prej gazetash të kthyera kokëposhtë, e për to shkruan: "Shpesh vendimet apo hapat që kryejmë janë kundra vullnetit apo dëshirës. Materiali i përdorur, gazetë, parakalon dhe anashkalon atë informacion pa vlerë dhe presionin që ushtron mbi ne". Një studente tjetër, e quajtur Blerina Llalla, ka vënë në kokë një kurorë prej teli dhe shprehet: "Duke kërkuar një të fortë në përbërje (në vend të perit) zgjedh telin, i cili në vend të energjisë elektrike, tashmë ka përcjellë energjinë time".

Ekspozita "Riciklim/Flora" e hapur që të enjten pasdite në galerinë "FAP" tek Akademia e Arteve, përbën dhe një eveniment urban, pasi disa punë të saj janë jashtë në rrugë, një lloj pikëtakimi me gjindjen e shkujdesur e të hutuar që kalon atypari e nuk e di se ç‘po ndodh me të. Ndaj, është e mundshme që në ekspozitë të kuptojnë se paku shkakun e hutimit. Zgjidhja më pas është art!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›