E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mercedes Gelandecoupé, modeli që konkurron simbolet e shpejtësisë



Gazetarët automobilistikë ndoshta nuk arrijnë të gjejnë shumë kuptim në automjetin X6 të BMW-së me linjë të zgjatur kupe, mirëpo për këtë tregu e adhuron atë, e aty ku ka treg të uritur ka edhe konkurrencë. Revista gjermane “AutoZeitung” sjell një raport, sipas të cilit deri në vitin 2014, Mercedes do të lançojë modelin GLC – konkurrentin e modelit të radhës X4 të BMW-së. Shkurtesa për të është “Geländecoupé”, mirëpo ky automjet nuk ka asnjë lloj lidhjeje me klasën legjendare “G” e cila ndryshe njihet si Geländewagen. Automjeti, i gjatë rreth 4.4 metra, nuk do të ketë asnjë lloj atributi të terrenit. Supozohet se ai do të mund të ndërtohej në platformën e re të klasave A dhe B që priten të dalin ekskluzivisht me tërheqje në boshtin e përparmë, respektivisht marshin integral 4Matic. Nën kapakun e GLC-së do të duhej të gjendej njësia standarde motorike nga klasat C e E 1.8-litërshe me benzinë e cila zhvillon 204 kuaj fuqi si dhe motori 2.2 litërsh me naftë dhe 170 kuaj fuqi. Të gjithë nga kompania janë shprehur entuziastë lidhur me këtë model të mahnitshëm, megjithatë nuk na mbetet veçse të presim rezultatin.

Toyota
Tërheqë 270.000 Lexus

Edhe pse dyshojmë që ekziston ndonjë prodhues i automjeteve i cili mund të krenohet me vitin 2010 si më të mirin që ka pasur deri më tani, Toyota, pa fije dyshimi, mund ta shpallë atë si vitin më të keq në histori të kompanisë. Prodhuesi japonez nga muaji në muaj tërheqë automjete nga tregu. Pas aksionit për riparim në pothuajse 10 milionë automjete me të ashtuquajturat “pedale ngjitëse” të gazit, Toyota ka njoftuar se do të tërheqë edhe 17.000 automjete Lexus HS 250h të prodhuara deri më tani për shkak të problemit me rezervuarin e karburantit i cili gjatë përplasjes së prapme mund të sjellë deri tek rrjedhja dhe djegia e automjetit. Mirëpo, problemeve të Toyota-s këtu nuk i vjen fundi. Prodhuesi më i madh i automjeteve në botë ka njoftuar se gjatë javëve të ardhshme, për shkak të probleme me ventile të cilët mund të shkaktojnë fikjen e motorit, nga tregjet e mbarë botës do të tërheqë 270.000 automjete Lexus.

Facebook
Përdoret 16 miliardë minuta në ditë
Rreth 400 milion përdorues të faqes së njohur “Facebook”, shpenzojnë më shumë se 16 miliardë minuta në këtë faqe, çdo ditë, ndërsa të njëjtit shikojnë më shumë se 1 milion fotografi për çdo sekondë. Ky trafik i lartë ka ndikuar në rritjen e shpejtë të rrjetit social dhe infrastrukturës së kësaj faqe në internet, e cila sot posedon më shumë së 60 mijë serverë të ndryshëm. Tom Cook, njëri ndër përfaqësuesit e “Facebook” ka sqaruar se si ekipi i operacioneve në “Facebook” e menaxhon këtë rritje, gjatë një prezantimi të javës së kaluar në konferencën O"Reilly Velocity. Ndërsa një ditë më pas në ngjarjen e “Structure 2010”, zëvendës presidenti i operacioneve në Facebook, Xhonatan Heiliger ka thënë se prodhuesit e çipave dhe serverëve janë zhvilluar ndjeshëm në krijimin dhe mbështetjen e platformës së tyre, krahasuar me një vit më parë.

Panasonic
Sjell televizorë tredimensionalë për profesionistë

Kompania “Panasonic” ka paralajmëruar një seri televizorësh profesionalë plazma me teknologjinë e shfaqjes tredimensionale – 3D. Televizorët do të përpunohen në disa dimensione: diagonale ekrani 85 inç, 103 inç dhe 152 inç. “Panasonic” me rezervë pohon se televizori i tyre 3D me diagonale prej 152 inçësh është më i madhi i llojit të tij në botë, e as ne nuk do ta shpallim të tillë, por jemi të sigurt se është një prej më të mëdhenjve.
Që të gjithë televizorët kanë rezolucion të plotë HD (1.920 x 1.080 piksela), kontrast prej 5.000.000:1 e përpunim të ngjyrave prej 30 bitësh. Prodhuesi veçanërisht lavdërohet për shpejtësinë e jashtëzakonshme të paneleve të reja të cilat kanë mundësuar zbatimin kualitativ të teknologjisë tredimensionale në ekrane kaq të mëdha.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›