E Diel, 1 Nëntor 2026

Oriana Cama: Bëj atë që them dhe them atë që ndiejë



Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton personazhet e saj. Është diplomuar për regjisurë, por i është përkushtuar deri në detaje aktrimit. Ka pak vite që interpreton në skenë dhe, pa dyshim, bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj që sjellin diçka të re në skenën e teatrit. Kjo është aktorja Oriana Cama, e cila me punë dhe dëshirë ia ka dal gjithmonë. Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në teatër si një aktore e re e skenës shqiptare. Aktorja Oriana Cama, e cila ka një karrierë të pasur artistike, edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpretojnë në skenë, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtër kohore. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni ka qenë fakti i të qenit gjithmonë e përkushtuar në punë. Duartrokitjet dhe spektatorët para disa ditësh i dhuruan emocion të veçantë me shfaqjen “Intrigë pasioni” me kastë aktorësh të mrekullueshëm. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktorja rrëfen për emocionet në skenën teatrore, si dhe projektet artistike të mëtejshme. Më tej ajo tregon për projektet dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre katër viteve. Së fundi u shfaq në Teatrin Kombëtar si regjisore me “Intrigë pasioni” ku tha se kjo pjesë ishte një përgjegjshmëri e madhe për të dhe një eksperiencë e vlefshme. “Shumë plot dhe shumë bosh! Nuk e di pse pas çdo here është gjithmonë kjo ndjesia që të lë boshllëku dhe çlirimi i përgjegjësive të një shfaqje. Ndoshta kjo ndodh për arsye se në momentin që diçka mbaron, atëherë ia ndjen mungesën më shumë! Ka qenë një eksperiencë që do të ngel gjatë në kujtesën time. Ajo ka spikatur jo vetëm si regjisore por edhe si aktore me nja gamë të gjerë rolesh si; Tana tek “14 vjeç dhëndër”, Andromaka tek tragjedia Greke me të njëjtin titull, Dynjashën tek “Kopshti i vinjave”, Anjezën tek “Dramë pasioni”, Veronika tek “Çdo të hënë në orën 13:30”, Madam Zhyrden tek “Borgjezi fisnik”, Dezdemonën tek “Otello”, Hermien tek “Ëndrra e një nate vere”, Lady makbeth tek “Makbeth” etj. Më tej, gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.

Kush është Oriana Camaj për publikun shqiptar?
Për publikun shqiptar Oriana Cama akoma nuk është askush për shkak se nuk ka bërë ndonjë gjë për të qenë aq në vëmendje, apo nuk ka pasur mundësi për tu njohur aq shumë me publikun shqiptar. Për publikun Oriana Cama mendoj se është një vajzë 21- vjeçare që jeton pothuajse si gjithë moshataret saj . Me pak fjalë është pjesë e shoqërisë me të cilën jeton. Ndërsa artistikisht është një grimcë shumë e vogël e cila po endet duke kërkuar dritë, në vorbullën e madhe të artit.

Si ka nisur rruga drejt regjisurës. Ka qenë dikush që ju ka shtyrë drejt kësaj rruge apo ka qenë një dëshirë e juaja?
Rruga ka nisur ashtu siç nisin të gjitha ëndrrat e fëmijëve apo pasionet e adoleshentëve. Që në fëmijëri kam pasur dëshirë për ekrani, dëshirë për teatrin, dhe sigurisht kjo dëshirë u bë vendimtare në momentet kur unë po studioja në shkollën e mesme. Gjithmonë imitoja, bëja karaktere të ndryshme, madje shpesh herë kam qenë duke u përjashtuar nga shkolla për faktin se imitoja shumë profesorët. Regjisura për mua është një rrugë e cila nis në një farë mënyre shumë rastësisht sepse në momentin që ti je adoleshent nuk e di mirë se çfarë kërkon të bëhesh në jetë apo s ai aftë je për tu bërë dikush. Një adoleshent nuk i ka të qarta mendimet e tij për të mos thënë që shumica janë pasione sesa tiketa të sakta, qëllime të sakta. Edhe pse kam qenë një nxënëse e mirë dhe pata mundësin të fitoja dhe degë të tjera që lakmohen në tregun arsimor sot për sot ,nuk bëhem pishman që kam zgjedhur këtë shkollë, për faktin se kam ndjekur diçka që vërtetë zemra ime donte, kam ndjekur vërtetë diçka që në çdo moment të këtyre katër viteve, e kam adhuruar ta bëjë! Sigurisht mbështetja ime më e madhe ka qenë familja, ku do të veçoja babin i cili gjithmonë me ka shtyrë të ndjek rrugën në të cilën zemra ime rreh më fort kur ecën!

Si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë duke ditur që ke edhe role si aktore përkrah emrave të njohur?
Dalja e parë në skenë ka qenë në moshë të vogël, në festivalin e fëmijëve, ku kam marr pjesë me një këngë. Më vonë ka vazhduar me rinfestin, ku kam marr çmimin si prezantuesja më e mirë etj. Por dalja ime e parë artistike ishte në vitin e dytë kur unë isha vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe me rolin e “Tanës”, ka qenë një dalje absolutisht shumë emocionuese. “Tana” është një ndër rolet e mija që e kam realizuar me shumë dashuri dhe do kisha shumë dëshirë ta rivija dhe një herë. Ka qenë një shfaqje e realizuar me pedagogen Sonila Ulqinaku, në të cilën ka qenë i përfshirë i gjithë kursi. Ka qenë një shfaqje që ka pasur shuam sukses dhe ka marrë pjesë në disa festivale. Madje me rolin e Tanës kam marrë dhe çmimin aktorja më e mirë në festivalin “Flaka e janarit” në Kosovë. Ka qenë një çmim që absolutisht nuk e kam menduar, aq më tepër që Tana ishte një karakter shumë dialektor, dhe nuk mendoja se në Kosovë, publiku do ti perceptonte të gjitha fjalët apo situata, por publiku shumë më i vëmendshëm nga çfarë unë mendoja, e ka pritur në një mënyrë që më ka magjepsur. Ishte një festival me pjesëmarrës profesionist dhe të gjitha nominimet për çmim, ishin artistë me prevojë dhe më është dukur gati çmenduri që unë arrita të rrëmbeja këtë çmim mes gjithë atyre artisteve që kanë interpretuar në atë festival.

Së fundi rrëmbet duartrokitjet në Teatrin Kombëtar me premierën “Intrigë pasioni”. Si ndiheni?
Shumë plot dhe shume bosh! Nuk e di pse pas çdo here është gjithmonë kjo ndjesia që të lë boshllëku dhe çlirimi i përgjegjësive të një shfaqje. Ndoshta kjo ndodh për arsye se në momentin që diçka mbaron, atëherë ja ndjen mungesën më shumë. Ka qenë një eksperiencë që do të ngel gjatë në kujtesën time.

A mendoni se te rinjve nuk u jepen mundësit e duhura?
Nuk mendoj se nuk i jepen mundësit, problemi është se të rinjtë nuk duhen të rrinë duke u ankuar sepse është normale që nuk na jepen kollaj këto mundësi. Problemi sipas meje është se ne duhet ti hapim vete rrugët dhe të gjejmë mundësit. Edhe për mua si një brez i ri i regjisurës ka qenë shumë e vështirë realizimi i një shfaqje në të tilla përmasa, por nuk ka gjëra të mira pa djersitur dhe pa kaluar pengesa. Mendoj se nuk është problemi tek vështirësitë se sa me shume tek të rinjtë.

Si lindi shfaqja juaj e diplomës “Intrigë pasioni”?
Shfaqja ka qenë komplet një rastësi e mrekullueshme. Një imazh i cili lindi mes përhumbjes dhe çorientimit të një shfaqje që unë kisha nisur dhe u la përgjysmë nga aktorët. Ishte një tekst Shkespirjan edhe një formë artistike e ndërtuar në një imazh regjisorial. Brenda në shfaqje vinte një koleksion i tragjedive të Shekspirit “Romeo dhe Zhulieta”, Otello, Makbeth dhe Hamlet. Në një farë mënyre të vijnë këto tragjedi të lidhura të katërta bashkë është disi e çuditshme, sepse realisht nuk kanë lidhje me njëra tjetrën pasi janë personazhe të ndryshme, kanë diapazone dhe karakteristika të ndryshme. Ka qenë zgjedhja ime që të bëja që në këtë shfaqje te vinin bashk “Romeo- Zhuliet”,me “Otello- Dezdemonë”, me “Makbeth- Ledimakbeth”, dhe“Hamlet- Ofeli”. Janë shumë çudiste në dukje, por shumë të pranueshme në rrjedhshmërinë logjike në të cilën u lidhën ngjarjet me njëra tjetrën. U morën dy skena për çdo çift; skena e dashurisë dhe skena e vdekjes, Jam munduar që këto personazhe ti lidhja në mënyrë që kur të mbaronte njëra histori të fillonte tjetra, e gjitha në mënyrë kronologjike . Ka qenë një shfaqje që kishte po aq formë sa edhe përmbajtje dhe ka qenë një shfaqje ne te cilën ka pasur një rëndësi të madhe sa fjala edhe lëvizja. Shekspiri është vënë dhe është rivënë me qindra herë por ideja e kësaj shfaqje ishte se çfarë do sillnim ne këtë herë me Shekspirin. Duke u munduar që të mos e humbnim fjalën, linjën dhe klasiken e tij. Mendoj se shfaqja është pritur shumë mirë nga reagimet që kam marrë pavarësisht problemeve teknike, pasi në fund të fundit jetojmë në një vend që eksperimentet dhe format e reja hasin shumë vështirësi. Por mendoj që ja kemi dalë. Dua të përmend faktin që i gjithë grupi pjesëmarrës në këtë shfaqej ka punuar pa asnjë përfitim apo interes ekonomik. Pra 15 persona që sakrifikonin nga koha e tyre pa përfituar asgjë materiale. Ka qenë një veprim dhe një gjest shumë njerëzorë nga të gjithë, të cilin e vlerësoj dhe përulem.

Sa ka arritur gama e personazheve që ke realizuar në skenë?
Profesionalisht kam realizuar dhjetë personazhe. Të gjitha këto personazhe për mua janë një arritje e mirë profesionalisht sepse kam luajtur përkrah aktorëve me eksperiencë. Shpresoj se rolet do vazhdojnë në rritje sepse vërtet kam dëshirë për të punuar akoma.

Cili rol ju ka lënë më shumë mbresa?
Për mua të gjitha rolet janë të veçanta dhe më kanë dhuruar emocione. Çështja është se kur e pranon një rol e pranon në bazë të impaktit që të le ai rol. Unë e kam kusht tek vetja ime nuk bëj gjëra se duhet ti bëj, në momentin që nuk më pëlqen nuk e marrë fare përsipër. Rolet për mua janë të gjitha të veçanta por do përmendja disa prej tyre; Tana tek “14 vjeç dhëndër”, Andromaka tek tragjedia Greke me të njëjtin titull, Dynjashën tek “Kopshti i vinjave”, Anjezën tek “Dramë pasioni”, Veronika tek “Çdo të hënë në orën 13:30”, Madam Zhyrden tek “Borgjezi fisnik”, Dezdemonën tek “Otello”, Hermien tek “Ëndrra e një nate vere”, Lady makbeth tek “Makbeth” etj.

Është hera që shfaqeni për publikun në skenë si regjisore?
Nuk është hera e parë sepse në katër vitet e shkollës për regjisurë, normalisht që jep të paktën dy provime regjie në vit. Po ndër punët e mija më të mira do të veçoja regjinë tek “Borgjezi fisnik” Molier në sallën Black Box, një shfaqje e ndërtuar mbi komedia del art, e sjellë në versionin e saj të plot me 16 aktor, ku brenda kishte edhe një pjesë të shkurtër balet. “Otello” Shekspir një fragment i veçantë që u vendos në hollin e Akademisë së Arteve dhe për herë të parë Dezdemona u luajt nga një violiniste; pra Dezdemona fliste vetëm me tingujt e muzikës së saj, pa fjalë. Vazhdon me “Keqkuptimin” Albert Kamy në teatrin “Metropol”, një vepër ekzistencialiste e plotë me tre akte, që erdhi si një sfidë për mua dhe grupin e aktorëve. Një sfidë që u superua me sukses, madje shkolla e zgjodhi këtë shfaqje të përfaqësonte Tiranën në festivalin “Kosova Fest thrend 2010”. Së fundi me “Pasion intrige” në Teatrin Kombëtar.

Si e shikojmë Orianën jashtë skenës?
Oriana e nis ditën me akademinë dhe e mbyll po në studion e akademisë. Sigurisht që në jetën e përditshme është në rolin e Orianës ndryshe nga rolet që ka kur është në skenë. Orianën jashtë skenës të gjithë e shohin si një njeri që qesh, qan, luan, hidhet, stepet, kërkon, do, vuan, kënaqet. Me pak fjalë si të gjithë njerëzit e tjerë normal në këtë botë. Sigurisht që rëndësi në jetën time ka shoqëria dhe familja. Kam shumë miq dhe miq të vërtetë. Ndoshta kohët e fundit kam shpenzuar shumë pak kohë me ta, për arsye se e kam pasur të kufizuar këtë periudhën e fundit.

Çfarë është familja për ju?
Familja është gjithçka çfarë unë jam. Është ajo që më ka sjell në këtë botë, që më ka formuar, është ajo që më bën të lumtur, më jep forcë, më përkrah dhe më do dhe atëherë kur të tjerët nuk më duan! Jam shumë e lidhur me dy prindërit dhe motrën time. Nuk e imagjinoj dot jetën me mungesën e njërit prej tyre. Padyshim që do humbja. I falënderoj dhe ju kërkoj ndjesë prindërve të mi për gjithçka që ata kanë bërë për mua. Janë krenaria ime dhe ekzistenca e tyre është thesari që do t’ju trashëgoj fëmijëve të mi.

Po dashuria. A e ka provuar Oriana ndjenjën e dashurisë?
Dashuria....dashuria është ajo që të rilind, të ringjallë, të vdes, të fundos! Mendoj që në jetë njeriu kalon shumë histori por secili nga ne ka vetëm një dashuri të mundur apo të pa mundur, që e ka gjetur apo që po e kërkon, që e ka apo nuk do ta ketë kurrë sepse nuk di ta mbaj. Dashuria është ngjizja e jetës. Nuk e di nëse Oriana e ka provuar ndonjëherë dashurin!!!

Cili është qëllimi që Oriana ka në jetë?
Njeriu asnjëherë nuk i ka të mbërthyera me gozhdë apo të vulosura qëllimet sepse në fund të fundit në jetë nuk mund të kesh vetëm një qëllim. Për mua rëndësi ka që deri tani, gjithmonë kam bërë atë që kamë thënë dhe kam thënë atë që kam ndjerë. Rëndësi ka që jam sjell ashtu siç i kam përjetuar gjërat dhe nuk jam bërë pjesë e kompromiseve të ndyra njerëzore për tu fshehur nën maskën e hipokrizisë. Nuk di të përmbahem apo ti fsheh ndjesitë e mija. Ndoshta paragjykohem apo humbas shumë gjëra për këtë por nuk di të jem ndryshe sepse jam vetvetja në çdo moment që jetoj. Qëllimi im është të jem Ori deri në frymën e fundit.

Cilat janë projektet që do t’iu shfaqin gjatë muajve në vazhdimësi?
Si fillim një pushim i mirë, pas gjithë kësaj lodhje. Sigurisht që dëshira e mirë është të vazhdoj të kem kontakt me skenën duke qenë se këtë vit e kam lënë shumë pas dore aktrimin dhe kam refuzuar disa role për të qenë e përqendruar totalisht te punët e mia si regjisore. Besoj se në shtator do të vij shumë shpejt me një shfaqje në të cilën do të luaj. Gjithsesi të gjitha janë plane në ajër dhe nuk mund të flas me detaje për një projekt që e drejton dikush tjetër.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›